Nga Ervis Iljazaj
Tubimi i militantëve të Partisë Demokratike, tregoi se përtej vështirësive në të cilët ndodhet opozita sot, për arsye që dihen, përsëri një popull opozitar ekziston ende dhe kjo parti e përfaqëson një pjesë të tij. Problemi qëndron se përpara kësaj proteste nga Partia Demokratike, lideri i saj Sali Berisha kanë tre vite pothuajse që premton që do të ketë një mosbindje civile për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës.
Le ta themi qartë dhe hapur, mosbindje civile nuk kishte. Mosbindje civile është një protestë ku populli e merr në dorë situatën dhe vepron ashtu sikurse ndodh në shumë vënde të tjera të botës demokratike. Nuk ishte gjithashtu një revoltë popullore, sepse nuk kishte një masivitet për ta quajtur të tillë. Protestuesit e sotshëm prisnin orientimet e deputetëve dhe indikacionet që ato jepnin. Ishte një protestë tërësisht politike dhe aspak mosbindje civile. Sigurisht një protestë për tu respektuar dhe dinjitoze, por gjithsesi një protestë politike si shumë protesta që janë organizuar gjatë tranzicionit shqiptar.
Fakt është që vetëm në Shqipëri ndodh që protestat organizohen nga partitë politike. Kjo është një karakteristikë tipike shqiptare. E për këtë arsye ato shpesh nuk sjellin asgjë. Thjesht tregojnë forcën e partive që protestojnë. Ka një mitizim të protestave politike në Shqipëri që shpesh herë fut në ankth dhe vetë ato se ç’të bëjnë me to. Shpesh herë ndodh që njerëzit mblidhen, ndezin disa zjarre dhe më pas nuk dijnë si të veprojnë. Dhe aq më tepër që pushteti i radhës nuk tregon aspak shqetësim për protestat politike. Kur proteston shoqëria civile apo kur ka mosbindje civile, atëherë qeveria fillon e shqetësohet dhe ato kanë ndikim në raport me pushtetin dhe objektivat e synuara.
Ç’është e vërteta Partia Demokratike në dekadën e fundit ka bërë shumë protesta, ka radikalizuar aksionin e saj deri në masa ekstreme si në djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, por që i nuk i solli asnjë rezultat, përkundrazi.
Në këtë kuptim, kjo protestë ishte thjesht një protestë e Partisë Demokratike, si shumë të tjera. Protestat gjithmonë duhen respektuar, edhe nëse zhvillohen nga partitë politike, por atyre i duhet dhënë emri që u takon. Dhe kjo e sotmja ishte një protestë partiake dhe s’ka të bëjë fare me mosbindjen civile.
Kështu që mosbindjen civile Partia Demokratike duhet ta heqë nga fjalori i saj. Është një aksion që me të gjitha gjasat nuk ka fuqi ta bëjë dhe ta ndezë një gjë të tillë në masën e gjerë të popullit shqiptar. Ajo mund të organizojë militantët e saj, ti mbledhë ata, por kjo nuk ka lidhje me mosbindjen civile.
Është në dëm edhe të saj kur protestave partiake i vendos emra të tjerë si mosbindje civile. Sepse nësë dështon, humbet kredibilitet në sytë e opinionit publik. Mosbindja civile kërkon një ndërgjegje të lartë që nis nga qytetarët dhe përfshin dhe politikën. Aq më tepër kërkon tre vite për tu bërë. Ajo nuk injektohet nga një forcë politike. Kështu që asnjë gjë të re nuk kishte në protestën e sotshme. Ajo ishte si shumë të tjera të zhvillura nga partitë politike në 34 vite./ Liberale.