Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, ku thotë se ka pasur një dakordësi të plotë për shkarkimin e Fatmir Xhafajt, në seancën e jashtëzakonshme që do të zhvillohet nesër në Kuvend.
Rama paralajmëron lëvizje të tjera, teksa thotë se nesër në orën 10:00 do t’i drejtohet me një kërkesë Kuvendit, po pa specifikuar se çfarë. Ditët e fundit ka pasur dhe teza se mund të ketë një nismë për shkarkimin e presidentit Meta, po kjo është e vështirë të ndodhë sa kohë që do të duhen 94 vota, që sot PS nuk i ka.
Reagimi i Ramës
Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00.
Vendimi i Metës për t’i thënë ”JO” Lleshit ka qenë një rast i paprecedentë, pasi në shumicën e rasteve presidentët që vendi ka pasur kanë kaluar çdo propozim të bërë nga kryeministrat për qeverinë.
Shumë analistë janë ndarë më dysh në qëndrimet e tyre, ku një pjesë e konsideron lëvizjen e Metës tentativë për të ngritur profilin e tij politik, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar të drejtë vendimin e Metës, sa kohë që Kushtetuta ja lejon dhe ai nuk mund të funksinojë si noter i kryeministrit.
Vetë Rama dhe Meta kanë pasur dje një takim rreth një orë e gjysmë mes tyre në Presidencë, ku në mbyllje të tij, nga zyra e kryeministrisë u konfirmua vijimi i bashkëpunimit mes dy institucioneve. Rama u kërkoi dy ditë më parë deputetëve që të mos komentonin qëndrimin e Metës, pasi sipas tij ata ishin shumica, dhe duhet të merrnin vendimet e duhura në respekt të vendit dhe qytetarëve që i kishin zgjedhur.