(Mos)Mirënjohja

Nga Sidi Hasanaj

Shkëputja nga avujt e nxehtë të debateve politike këto javë vere, si këdo edhe mua më ka bërë të distancuar dhe më të ftohtë në gjykim, gjykim për çështjet dhe fenomenet politike e njerëzore brenda saj.

Rezultantja e gjithë reflektimit personal prej këtij distancimi veror, mund të definohet me togfjalëshin:
Neveri për fenomenim e Mosmirënjohjes!

Duke dalë direkt në temë: Po e kam fjalën për Lulzim Bashën.

Sytë dhe veshët e mi, mund të them tashmë, kanë dëgjuar dhe fotografuar mjaft ngjarje në PD.

Përfundimi i gjykimit tim, është një histeri kolektive, një sëmundje e madhe e kësaj shoqërie që rend drejt veprimeve të cilat në thelb kanë mosmirënjohjen!

Kam parë njerëz në PD që të bezdisnin aq sa i bëja block në celular, pasi çdo ditë… çdo mëngjes të dërgonin shkrimin e tyre të përpiluar që herët, ku i thurrnin lavde dhe servilizëm Lulzim Bashës.

Të neveritshëm në zellin e tyre për tju servilosur, sot edhe më të neveritshëm në mosmirënjohjen që reflektojnë, duke hedhur baltë dhe sulme vulgare ndaj Bashës!
Shpesh pyes veten:
“Po këta nuk i kanë fshirë nga fb i tyre shkrimet që bënin deri pak muaj më parë me elozhe ndaj Bashës, a nuk kanë respekt për veten? Për kohën e tyre?!”

Kam parë njerëz, deputetë që të nxirrnin sytë për Bashën, realisht kam parë deputete gra që në kohën e çadrës, (mesa mbaj mend), që vetëm se bisedova njëherë 10 sekonda me Bashën, më shikonin me një inat dhe nuk mi ndanin sytë duke më “mallkuar” në heshtje, se ju mora afrimitetin ndaj pushtetit… të neveritshme atëhere, po njësoj të neveritshme sot e më herët, (pas 9 shtatorit 2021), ku njeriun që dikur i ngjiteshin pas këpuce, e baltosnin me akuza histerike.

Burra deputet nga 60-70 vjeç që dikur i bërtisnin në korridoret e selisë “ku je lideri ynë perëndimor” dhe kanë 2-3 vjet që ndaj tij lëshojnë akuza, ku gërshetohen fantazia e shfrenuar me ligësinë.

Kam parë “burra” që i luteshin si njerëz padinjitet për një post dhe një spalet në hierarkinë e partisë, që literalisht pesë minuta pas mbledhjes së 11 Qershorit me Kolegjin e Kryetarëve, pasi e përkrahën Bashën në sytë e mi dhe të dhjetëra kryetarëve dege… ekzakt pas 5 minutash, bënë prononcim në media se kaluan nga Berisha.

Funksionarë partiak që sot kollarisen në studiot e TV si analistë e publicistë, (falë hapësirës që Basha ju ofroi), që dikur shkruan realisht fragmente deliri që i ngjanin të çmendurve, vetëm e vetëm për ti spikatur Bashës me hovin e tyre:
“Dolën dajat e xhajat me kallashë për të pritur Bashën në zonën tonë nga bandat e Ramës…” , e të tjera marrëzira, dhe po të njejtët djem të rinj i kam parë teksa i fryheshin këmbë mbi këmbë dhe krahët hapur në divanin në zyrën e Bashës, me një fodullëk të turpshëm dhe duke ju drejtuar:
“Hë çfarë pozicioni do më japësh?!”

I ka përcjellë me shumë takt dhe qytetari Basha, pas tre orësh në kafe arrinin deri aty sa tentativave të mia naive për ti bërë të reflektojnë ju përgjigjeshin duke treguar histori të shpikura nga ligësia dhe inati i tyre se si gangsterët e provincave të tyre talleshin me Bashën në telefon duke e detyruar në “loudspeaker” të betohej për vajzat e tij dhe ai jua “plotësonte”.

Dmth të njejtët këta dikur “merrnin armët” për të pritur Bashën në zonën e tyre, të njëjtët dinin që “ai betohej për fëmijët te eksponentët e krimit”
Mashtrime që vetëm njerëz shumë të frustruar dhe të ligj mund ti thonë, pa u ndalur të reflektojnë se ka një kontradiksion te rrëfimet e tyre, aq të madh sa degjeneron vetë këta.

Kam parë pafund debate të zjarrta avokatie ndaj Bashës, dhe çuditërisht sa më të flakëst avokati ndaj Bashës, aq më përçmues ndaj tij kur ai humbi vulën në 11 Qershor.

Mosmirënjohja është thelbi i të ligës ka thënë Imanuel Kant në studimet e tij për antropologjinë, natyrën njerëzore.

Mosmirënjohja do thoja është pika ku takohen mungesa e karakterit, arrivizmi dhe “langaraqllëku”.

Padiskutim çdo bashkëpunëtorë i L.Bashës ka të drejtë të mendojë ndryshe nga ai, dhe të ndërpresë rrugëtimin me të. I jep dorën dhe rrugët tona ndahen, por jo ta sulmosh me gjuhën e Ramës dhe Berishës atë që deri dje e mbroje!

Burri fjalën ka në jetë, në kushte komode e pushteti të gjithë sillen mirë… kur ka vështirësi dhe kërkohen sakrifica njeriu tregon fytyrën dhe ajo fytyrë i mbahet mend deri sa vdes, dhe pasi vdes madje!

Madje do thoja dhe diçka më tej, që është edhe mbase vendim personal:

Nuk është e thënë të lidhesh patjetër me pushtetin në politikë, mbase zgjedhja jote nuk fiton dot… por përsëri faqebardh e me nder pret humbjen, se mosmirënjohës në kampin e fitores.

Njeriu turp duhet të ketë para Zotit dhe ndërgjegjes së tij, mbase më mirë me ndërgjegjien e pastër se sa palaço cirku si kllounët politikë që do mbahen mend gjatë si Bardhi e Salianji me shokë!

E di që një nga tru-atrofizuarit e Berishë do thotë:
“Po ajo që i bëri Basha Doktorit, nuk është mosmirënjohje?!”

Mirënjohja ka sinore vlerat, virtytet dhe qëllimet e ndershme… jo mirënjohës për të mbrojtur krimet dhe aferat e korrupsionit. Kjo nuk quhet mirënjohje, quhet bashkëpunim në krim më pas!

Dikush tjetër do thotë “ai na tradhëtoi ne, se humbi me qëllim vulën për ti shërbyer Berishës”

Mos projektoni frustrimet tuaja dhe justifikimet për veprimet tuaja në këtë argument foshnjarak. Njeriu më i dëmtuar për humbjen e vulës është vetë L.Basha, mos besoni teori koonspiracioni nga torturuesit e Pali Miskës me lojra sadiste.

Mbase L.Basha e fiton përsëri vulën dhe shumë shpejt madje (siç janë indiciet në afatet e gjyk.Lartë) mbase e humb përgjithnjë… s’ka rëndësi fare. Mosmirënjohja me justifikim nga pas, nuk është se zhbëhet si e tillë, dhe mosmirënjohësi nuk është se me justifikimin në xhep amnistohet.

Se harrova, do thotë dikush:
“Mirënjohës për çfarë?”

Do ju përgjigjem me fjalët e vetë Bashës (palejen e tij):

“S’kanë faj ata që thojnë “nuk të jep liri të promovohesh si Basha si Berisha, se i kanë ende në fb fotot në Londër, në Strasburg, Bruksel dhe madje Washington, ku i merrja nga pas dhe i prezantoja e promovoja në çdo takim të nivelit më të lartë politik, edhe pse shpesh më skuqnin faqen me anglishten e tyre të klasë së parë. Ndërkohë bashkë debatonim çdo bisedë se më kritikoje pa rezerva institucionale, për strategjinë time mediatike që ti nuk bie dakort”

Pra, mbase treni i Bashës në politikë ka ikur… mbase jo, pak rëndësi ka, por kujt i ke thënë shok,mik e vëlla nuk e konceptoj dot si mund ta sulmosh me fjalorin dhe arsenalin e akuzave më të papërmbajtur!

Exit mobile version