Motorët e vdekjes, 15 pushues kanë humbur jetën në plazhe

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për ngjarjen tronditëse ku një turiste ruse humbi jetën, pasi u godit nga një skaf në det në Ksamil. Berisha shkruan në një postim në Facebook, se deri tani kanë humbur jetën 15 pushues në brigjet tona. “Një ngjarje tjetër fatale tronditëse ndodhi këto ditë, ku një turiste ruse, vajza 15-vjeçare, që kishte ardhur me nënën e saj për të festuar ditëlindjen në Ksamil. Një mjet lundrues i këputi asaj jetën dhe iku si hienë dhe e la pa ndihmë të vdekur në ujërat e Jonit. Akt makabër i ndodhur edhe më parë në Himarë me një turist tjetër rus.
Me këtë rast le t’i shprehim ne nënës dhe familjes së viktimës ngushëllimet më të sinqerta dhe dënojmë me forcën më të madhe krimin e shëmtuar.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të vendosë me rreptësinë më të madhe para ligjit vrasësin e saj. Por theksojmë gjithashtu se këtë verë deri tani në ujërat e brigjeve tona kanë humbur jetën 15 pushues. Që të gjithë pa përjashtim për mungeseë të plotë të çdo lloj kujdesi, ndihme apo kontrolli për pushuesit që kalojnë pushimet në brigjet tona.
Ky është një tregues konkret i dështimit të shtetit në menaxhimin e sezonit turistik. Kjo mungesë vëmendje dhe vizioni nga qeveria e Norieges ndaj turizmit në Shqipëri, dhe fokusimi dhe promovimi i turizmit të kanabisit është tregues sesi Shqipëria do të jetë në 4 vitet në vazhdim. Dëmi që i shkaktohet Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si në aspektin e turizmit, ashtu edhe në atë të sigurisë është i madh.
Duke dënuar me forcën më të madhe paaftësinë e qeverisë aktuale për të garantuar sigurinë e turistëve vendas dhe të huaj në sezonin turistik, i bëj thirrje Prokurorisë të verë para ligjit të gjithë ata që nuk marrin masat e parashikuara për parandalimin e këtyre tragjedive”, shkruan Berisha.

Artikulli paraprakNdizet Shqipëria nga Jugu në Veri, 16 vatra vetëm dje
Artikulli tjetërDjali rrëmben armën dhe vret babain polic e plagos nënën