Mou nuk përmbahet

STOCKHOLM, SWEDEN - MAY 24: José Mourinho, head coach of Manchester United celebrates with the trophy after during the UEFA Europa League Final between Ajax and Manchester United at Friends Arena on May 24, 2017 in Stockholm, Sweden. (Photo by Nils Petter Nilsson/Getty Images)

Lotë gëzimi në fund të një sfide të cilën Jose Mourinho e përjetoi me emocione të mëdha. Asnjëherë më parë “Special One” nuk kishte festuar aq shumë, pas fitimit të një finaleje. Me suksesin ndaj Ajax-it në Stockholm, Manchester United mbylli në mënyrën më të mirë një sezon të lodhshëm ashtu si edhe Jose Mourinho që në vitin e tij të parë me “Djajtë e Kuq”, ia doli të fitonte tri trofe, Comunitty Shield, Kupën e Ligës dhe tashmë Europa League. Një tripletë e jashtëzakonshme për United, që me fitoren ndaj Ajax-it siguroi edhe pjesëmarrjen në grupet e Champions League për sezonin e ardhshëm, duke harruar kështu paraqitjen e dobët në kampionat me Manchesterin, që e mbylli në vendin e 6-shtë, me 24 pikë më pak se Chelsea që fitoi titullin.
Ishte një Mourinho jashtëzakonisht i kënaqur ai që u shfaq në konferencën për shtyp në fund të duelit të “Friends Arena”. Sfida ndaj Ajax-it i kujtoi trajnerit luzitan finalen e fundit të fituar në Europë prej tij, pikërisht Champions-in më 2010-tën me Interin kur mundi në finalen e Madridit, Bayern Munich. “E nisëm ndeshjen shumë mirë dhe që në fillim isha i bindur se do të kishim kontrollin e ndeshjes. E kuptuam që kupa do të ishte e jona dhe jam i lumtur që kompletova operën e Ferguson-it. Kjo nuk është një tripletë e madhe, por një sukses i trefishtë që vlen shumë për këtë United”, deklaroi “Special One”.
Për Jose Mourinho, përjashto kampionatet, kjo ishte fitorja numër 17 në 25 finale të zhvilluara në total gjatë karrierës së tij. Luzitani hyri në histori pasi u bë trajneri i parë që udhëhoqi Manchester United drejt fitimit të ish-Kupës UEFA, tashmë Europa League. Tifozët e “Red Devils” mund të ëndërrojnë sepse pikërisht me një sukses në Kupën UEFA më 2003-shin nisi edhe cikli fitues i Mourinhos, me Porton. Një vit më pas skuadra nga Do Dragao, mposhti 3-0, Monacon në finalen e Champions-it. Me tri trofe të fituar që në sezonin e parë me United, si fillim nuk është aspak keq për Jose Mourinhon.
Manchester United fiton finalen e Europa League duke siguruar trofeun e parë europian të kësaj kategorie. “Djajtë e Kuq” thyen me lehtësi në ndeshjen e Stokholmit Ajaxin me rezultatin 2-0. Skuadra e Jose Mourinhos e interpretoi me mjeshtëri këtë 90 minutësh, duke nxjerrë në pah limitet e holandezëve me një grup shumë të ri lojtarësh pa eksperiencë në evenimente të tilla. “Friends Arena” priti në një mbrëmje të paharrueshme dy prej skuadrave më të titulluara të kontinentit ku që në minutat e para Manchester United mori kontrollin duke treguar muskujt, por me kalimin e minutave edhe “harkëtarët” kërkuan të jepnin sinjale jete. Gjithsesi ishte mister 100 milionëshi Paul Pogba që zhbllokoi sfidën me një goditje jo të pakapshme, por të fuqishme.
Anglezët në festë, Ajax i shokuar. Pogba tregoi se në të tilla ndeshje klasi, por edhe milionat e shpenzuara nga Manchester United arrijnë të bëjnë diferencën. Ajax tentoi të çante në qendër të mbrojtjes së United, por pa ia dalë mbanë, pavarësisht dëshirës që në të tilla raste nuk është e mjaftueshme. Me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës, një tjetër blerje e verës, Henrikh Mkhitaryan shteroi shpresat e bardhekuqve për të mbajtur të hapur sfidën.
Një goditje e rëndë për skuadrën e Peter Bosz ku Dolberg, Younes dhe Traore, lojtarë që ndiqen nga gjysma e klubeve të mëdha europiane, nuk arritën të nxirrnin në vitrinë vetitë e tyre më të mira. Me kalimin e minutave, skuadra e Jose Mourinhos menaxhoi në mënyrë perfekte rezultatin dhe tentoi madje të shënonte edhe golin e tretë me Rashford të vetëm në sulm, por edhe kaq mjaftoi që Manchester United të shpëtojë një sezon gati-gati të dështuar. Me trofeun e parë të Europa League në muze dhe të dytin për Jose Mourinhon në aventurën e tij të re me “Djajtë e Kuq”, për skuadrën më të lavdishme të Anglisë hapet një kapitull i ri.

Exit mobile version