Mou sfidon Chelsin

Largimi nga Chelsea si humbës la një plagë të madhe te Jose Mourinho. Portugezi që këtë sezon nisi një aventurë të re me Manchester United, do të rikthehet në “Stamford Bridge” këtë të diel si kundërshtar. Ai e pranon se do të jetë një moment emocionues në aspektin personal. “E dija se po të qëndroja në Angli dhe të drejtoja një klub tjetër, herët a vonë do të luaja kundër Chelseat në “Stamford Bridge”. Kompjuteri vendosi që të shkoj këtë javë dhe ja ku jemi, momenti po vjen. Nuk jam unë njeriu që mund të analizoj startin e sezonit të tyre, por duhet të shikoni klasifikimin e tyre. Chelsea renditet në një pozicion të mirë”, u shpreh Murinjo.
Hera e fundit që Mourinho vizitoi “Stamford Bridge” si kundërshtar ishte në periudhën, kur ai drejtonte Interin dhe ai me shaka e pranon se në këtë stadium si kundërshtar ka fat. “Kur drejtoja Interin përpara rikthimit, nuk humba në “Stamford” edhe pse si trajner i Chelseat pak kohë më parë nuk kisha humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Në periudhën e dytë te Chelsea humba 5 ndeshje”, tha ai.
Përballja Chelsea-Manchester United do të luhet të dielën në orën 17:00 dhe do të transmetohet ekskluzivisht në paketën “Supersport”.
Ndërkohë, problemet nuk kanë të sosur te Manchester Cyti. Duket se Guardiola kërkon të “heqë qafe” edhe Kun Agueron. Nga një idhull i padiskutueshëm në një lojtar që rrezikon të largohet në fundin e sezonit. Kun Aguero është vënë në shënjestër të Pep Guardiolës, i cili sipas mediave britanike, nuk e shikon si pjesë e Manchester City në të ardhmen bomberin argjentinas. Ashtu si Toure dhe Joe Hart edhe numri 10 shihet si mish i huaj në grup nga trajneri katalanas, i cili po përgatit një revolucion në sulm.
Një situatë e ngjashme me atë të Samuel Eto’o te Barcelona, sepse pas vitit të parë në stlin blaugrana, Guardiola i dha duart kamerunasit, i cili konsiderohej si një prej sulmuesve më produktivë të ekipit. El Kun ka shënuar 11 gola në 10 ndeshje, por takimin kundër Barcelonës e nisi nga stoli dhe ky nuk është një sinjal i mirë. Argjentinasi po luan sezonin e 6 me fanellën e “Citizens” dhe mbërritja e Gabriel Jesus e objektivat Pierre-Emerick Aubameyang e Antoine Griezmann janë një kërcënim real për të ardhmen e tij në “Etihad Stadium”.
Gjithsesi, Aguero nuk është i vetmi i “padëshiruar” në listën e Guardiolës, i cili ka shënjestruar edhe mbrojtësin belg, Vincent Kompany. Stones dhe Otamendi, po i lënë shumë pak hapësira kapitenit të Belgjikës, i cili e ka gjithashtu portën të hapur për të ndjekur një aventurë të re larg Manchesterit.

Artikulli paraprakArmando Sadiku përgatit rikthimin
Artikulli tjetërBrazili, Tite: Argjentina po më lë pa gjumë!