Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, ka shkuar në Zagreb për të bindur mesfushorin kroat të Interit, Ivan Perisiç, për t’u transferuar nën urdhërat e tij në “Old Trafford”. 28-vjeçari mund të lërë Interin verën e ardhshme nëse zikaltërit nuk kualifikohen në Champions. Perisiç prej pak kohësh ka ndryshuar menaxher, duke u lidhur me agjentin Fali Ramadani dhe pikërisht ky ndryshim mund të jetë i lidhur me ndërrimin e fanellës në verë.
Manchester United është prej kohësh në ndjekje të tij, dhe është gati të bëjë një ofertë të rëndësishme për ta bindur Interin që të lërë të lirë futbollistin. Pikërisht për këtë arsye, Mourinho ka udhëtuar për ta ndjekur nga afër në Kroaci-Ukrainë Perisiç për të cilin ka bërë gati tashmë ofertën prej 40 milionë eurosh. Interi nuk dëshiron të privohet nga një nga futbollistët kyç të formacionit por Mourinho shpreson që të bindë Perisiç dëshira e të cilit mund të jetë decizive. Trajneri portugez kërkon të mbyllë gjithçka sa më shpejt, pasi në gjurmet e Perisiç janë dhe Chelsea e Liverpool.