Trajneri i Romës, Jose Mourinho ka këmbëngulur se, skuadra e tij meritoi të dilte triumfuese nga disfata kontroverse 1:0 kundër Juventusit të dielën në Serie A.
Moise Kean e shënoi golin e vetëm dhe të fitores së katërt radhazi për skuadrën e Massimiliano Allegrit të dielën në Allianz Stadium.
Roma e barazoi rezultatin përmes Tammy Abraham, por gjyqtari Daniele Orsato i ra pipit paraprakisht për një faull ndaj Henrikh Mkhitaryan dhe dha penallti, të cilën Szczesny e priti pas goditjes nga Jordan Veretout.
Duke folur pas ndeshjes, Mourinho u shpreh tejet i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të vet.
“Mund vetëm të them se e pashë një Romë të madhe sot. Këtë ua thashë edhe lojtarëve të mi në zhveshtore”, tha Mourinho pas ndeshjes.
“Natyrisht, po flasim për një disfatë dhe zero pikë, por e gjitha që mund ta them është se Roma ishte e madhe në çdo aspekt”.
Ai shtoi: “Mund ta shoh ndryshe nga ju, por unë e pashë një ekip që e meritoi fitoren por përfundoi me disfatë. Ky është futbolli”.
Si pasojë e kësaj humbjeje, Roma ngel në pozitën e katërt me 15 pikë, nëntë më pak se lideri Napoli.