Jose Mourinho mund të rikthehej në Itali. Trajneri i Man.United në një intervistë të dhënë ka zbuluar se përpara se të vendoste për transferimin e tij tek “Djajtë e Kuq”, e kishte menduar si alternativë rikthim e tij në Itali ose në Spanjë. Më tej ai shtoi se vazhdimi i aventurës së tij në Premier League ka qenë zgjedhja e duhur. “Përpara se të hyja në bisedime me drejtuesit e Man.United në planet e mia ekzistonte dhe ideja e një rikthimi në Itali ose në Spanjë. Në fund vendosa të vazhdoj aventurën time në Premier League, sepse është një kampionat special ku ka shumë rivalitet mes skuadrave”, u shpreh Mourinho.
E duke qëndruar tek pjesa i rivalitet “Special One” deklaroi se, në Angli diferenca mes ekipeve është e vogël, pasi të gjithë duan të japin më të mirën dhe nuk i tremben skuadrave që kanë bërë histori në botën e futbollit. Më pas ai foli dhe për karakterin disi të vështirë që ai ka, duke u justifikuar se sjellja e tij është në të mirën e ekipit.
“Ka kampionate ku skuadrat e mëdha duan të vazhdojnë rrugën e tyre të sukseseve dhe t’i lënë akoma dhe më mbrapa të voglat. Në Angli ndodh e kundërta. Këtu të gjithë klubet duan të jenë kompetitivë. Është e vërtetë që kam një karakter disi të vështirë dhe hera-herës tregohem arrogant, por kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve, pasi dëshiroj që skuadra të cilën unë drejtoj të fitojë çdo ndeshje dhe të gjitha kompeticionet ku ne marrim pjesë”, përfundoi Mourinho.