Në Angli gjithnjë e më shumë po shtohen zërat që shohin Jose Morurinho-n drejt largimit dhe duket thjesht çështje kohe, duke parë ecurinë e dobët të Manchester United dhe problemet e brendshme, me trajnerin portugez që nuk flet më me disa nga lojtarët e tij, duke nisur nga Paul Pogba, apo kapiteni Antonio Valencia, i cili ditët e fundit pëlqeu një postim në Instagram ku kërkohej pushimi nga puna i trajnerit.
Megjithatë, jo të gjithë janë kundër Mourinho-s dhe një ndër personat më të vlerësuar në Manchester, ish-kapiteni legjendar Roy Keane, ka një këndvështrim tjetër, duke fajësuar vetëm futbollistët për këtë krizë loje e rezultatesh.
Duke folur për Notts TV, Keane ka analizuar momentin e United dhe ka dhënë mendimin e tij, duke i quajtur ‘qaramanë’ futbollistët e Red Devils.
“Jo çdo futbollist shkon mirë me trajnerin, ky i fundit nuk i pëlqen gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Megjithatë, çfarëdo lloj problemi të kesh dhe çfarëdo mosmarrëveshjesh të kesh me trajnerët, kur zbret në fushë luan për skuadrën, jo për trajnerin.
“Nuk më intereson fare çfarë ka ndodhur, nuk më intereson nëse jeni kapur për fyti, sepse është pjesë e industrisë, njerëzit shpesh grinden. Ndodh në çdo biznes, por për fat të keq kur je te Manchester United – një prej klubeve më të mëdhenj në botë – gjërat ekzagjerohen.
“Ama, nëse je futbollist i United, e vesh atë fanellë dhe kur zbret në fushë nuk jep 100% sepse je i mërzitur me dikë, atëherë jo, unë i uroj fat Mourinho-s. Nuk e kam me Pogba, por me çdo futbollist që nuk arrin të ndajë çështjet jashtë fushe nga paraqitjet në fushë.
“Lojtarët që zemërohen me trajnerin dhe mendojnë se nuk ka pse të japin maksimumin në stërvitje apo në fushë nga inati janë thjesht qaramanë dhe unë shoh shumë qaramanë në qarkullim, shumë. Kur del në fushë, luan për krenarinë tënde, për familjen dhe qytetin tënd, jo për trajnerin. Zihu pas ndeshjes, por në ndeshje luaj me energji, me shpirt, me krenari. Jep maksimumin, aq sa ke mundësi, sepse ka edhe ditë të këqija, por tifozët e kuptojnë kur një futbollist përpiqet dhe kur një tjetër nuk e vret mendjen fare”.