Mourinho zgjedh mes Messit dhe Ronaldos

Si shumë futbollistë, trajnerë dhe analistë para tij, edhe Jose Mourinho u ballafaqua me pyetjen se cilin futbollist e konsideron më të mirë, yllin e Barcelonës, Lionel Messin, apo atë të Juventusit, Cristiano Ronaldon.
Megjithatë, portugezi e pati të vështirë ta merrte një vendim të prerë, duke thënë vetëm se kishte qenë shumë i lumtur kur pjesë e skuadrës së tij në Real Madrid ishte Ronaldo, transmeton Gazeta Express.
Mourinho i kishte fituar gjithsej tre tituj gjatë kohës së tij në Real Madrid, bashkë me Ronaldon. Ai e kishte filluar me titullin e Kupës së Mbretit në sezonin 2010/11, ndërsa sezonin e ardhshëm e kishte fituar titullin e La Ligës dhe atë të Super Kupës së Spanjës.
Ylli argjentinas, Messi, ka arritur t’i shënojë 17 gola dhe t’i bëjë 11 asiste në vetëm 17 paraqitje në La Liga këtë sezon dhe përmes golit të shënuar në ndeshjen kundër Eibarit, u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që arrin t’i shënojë 400 gola gjatë karrierës së tij.
Në anën tjetër, Portugezi është duke e dëshmuar veten mjaft mirë në Serie A dhe deri më tani e kryeson garën për Këpucën e Artë të Italisë, me gjithsej 14 gola të shënuara, vetëm një më shumë se Krzysztof Piateku i Genoas.
“Mendoj se është e padrejtë për të dy ata kur dikush thotë se njëri është më i mirë se tjetri. Mendoj se ata janë shumë të ndryshëm. E vetmja gjë që unë dua ta them është isha një njeri shumë i lumtur kur Ronaldo ishte pjesë e skuadrës time”, ka thënë Mourinho për BeIN Sports.
“Por, edhe kur luaja kundër Messit, duhet të mendohesha shumë për të gjetur mënyra të ndryshme për t’i shtuar mundësitë e klubit tim të jetë i suksesshëm. Gjëja që jam mësuar ta adhuroj gjatë kohës së fundit është që ata kanë mbetur në nivel shumë të lartë”.

Exit mobile version