Ikën Sam Allardyce vjen David Moyes. Drejtuesit e Sunderland-it nuk vonuan për të gjetur trajnerin e ri të skuadrës pas largimit të Big Sam, i cili të premten u emërua zyrtarisht si tekniku i ri i Anglisë. Klubi nga Stadium of Light ka arritur marrëveshjen me ish-trajnerin e Manchester United dhe Real Sociedadit. David Moyes ka firmosur zyrtarisht me Sunderland-in një kontratë që do të lidhë me “Black Cats”, për 4 sezonet e ardhshme. Që nga nëntori i kaluar kur u shkarkua nga posti i trajnerit të Real Sociedadit 53-vjeçari skocez ka qenë i papunë, por tashmë për Moyes nis një aventurë në krye të një tjetër skuadre që luan në Premier League pas Evertonit dhe Manchester United.
Objektivi parësor i Moyes në sezonin e ri me Sunderland-in do të jetë të sigurojë sa më shpejt mbijetesën, një mision aspak i lehtë ky, duke ditur rivalitetin e madh që ekziston në kampionatin anglez. Pasi hodhi firmën mbi kontratë, trajneri 53-vjeçar pozoi me fanellën e klubit të tij të ri. Moyes deklaroi se është shumë i lumtur që nga tani e tutje do të drejtojë një skuadër si Sunderlandi. “Jam shumë i emocionuar nga kjo mundësi që më është dhënë dhe shpresoj të qëndroj sa më gjatë te ky klub, shtoi në përfundim skocezi.