Mesi-Suarez-Neymar, a është ky tredhëmbëshi më i frikshëm i historisë së futbollit? Për të dytin sezon rresht treshja e famshme MSN arrin të diktojë ligjin në La Liga, duke lënë pas treshen e Realit, BBC ku Ronaldo i vetëm nuk arrin të mbajë në lartësinë e duhur sulmin “Los Blancos”. Tre sulmuesit e skuadrës katalanase e kanë transformuar këtë skuadër në një makinë të vërtetë golash, pasi mesatarisht në çdo ndeshje ata sigurojnë 2-3 gola. Sezonin e shkuar regjistruan në total 122 gola, prej të cilëve 81 në La Liga, por një vit më pas e rritën edhe më shumë gazin, duke arritur në kuotën 130 me 90 gola në kampionat.
Një fakt tjetër që e bën këtë treshe vrasëse për çdo kundërshtar është edhe numri i asisteve, plot 63 të dhuruar nga të tre, 50% më shumë se BBC në kampin kundërshtar. Barcelona fitoi titullin e dytë rresht dhe të tretin në 4 vitet e fundit, ndërsa MSN regjistroi rekordin e 80% të golave në të gjithë sezonin. 20 gola në 5 ndeshjet e fundit, ku 14 i ka shënuar vetëm Suarez. Gjithsesi, pesha e secilit është e veçantë, pasi ishte Neymar që e nisi sezonin me 14 gola në 13 ndeshjet e para, madje ai dhe Suarez nuk u ndalën as kur Mesi u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë për disa javë. Uruguajani regjistroi 40 gola në kampionat, i ndjekur nga Mesi me 26 dhe Neymar me 24.
Një treshe e dashuruar me spektaklin që shënon në çdo mënyrë të mundshme, që të tre të pamëshirshëm ndaj rivalëve. Në këtë pikë, lind pyetja nëse janë ata treshja më efektive e historisë së futbollit. Në Barcelonë, konkurrentë të tyre janë Stoichkov-Romario-Laudrup, ndërsa Mesi shfaqet edhe në tredhëmbëshin tjetër Sanchez-Messi-Pedro me 97 gola në fund të sezonit. Me shumë mundësi, treshja që mund të bëjë më shumë konkurrencë MSN-së është Mesi-Eto’o-Henry në sezonin 2008-2009 me 100 gola në total dhe tre tituj në fund të sezonit. Ai ishte sezoni kur Mesi arriti t’i rrëmbente vendin e titullarit Ronaldinhos. Gjithsesi, tre sulmues të tillë në të njëjtën skuadër, ndoshta nuk kanë pasur fatin të luajnë asnjëherë dhe ndoshta nuk do të luajnë as në të ardhmen.
Sulmuesi i Barcelonës, Neymar ka bërë një përmbledhje të sezonit të tij futbollistik. Gjatë një konference për shtyp pas fitores së titullit, ai foli për suksesin La Liga, eliminimin nga Champions League si dhe marrëdhënien e tij me Luis Suarez. “Nuk di të them, nëse ky është sezoni im më i mirë. Më pëlqen të thyej çdo rekord, dua që çdo ditë të përmirësohem akoma dhe më shumë si lojtar. Jam shumë i lumtur për fitimin e titullit kampion. Dua të përgëzoj të gjithë shokët e skuadrës. Ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por në fund ia dolëm. Përsa i përkët marrëdhënies time me Suarez, mund të them që jemi miq shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që fitoi çmimin “Këpuca e Artë”. Champions League? Më vjen keq që nuk jemi në finale por, dua të përgëzoj dy skuadrat finaliste. Është një moment që duhet lënë pas krahëve dhe të mendojmë për të ardhmen”.
Më tej, braziliani foli për finalen e “Kupës së Mbretit”, ku përballë do të këtë skuadrën e Sevillias, por ai u ndal edhe te pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. “Përsa i përket finales së Kupës së Mbretit, mund të thëm se, skuadra është shumë e motivuar. Jam i sigurt se pas titullit në La Liga, ky do të jetë trofeu ynë i dytë sezonal. Jam shumë i lumtur që do të marr pjesë në “Rio 2016”. Sigurisht që dëshira ime ishte të isha pjesë edhe e “Copa America” por, të gjithë palët ramë dakort që të aktivizohem vetëm në një prej këtyre dy evenimenteve sportive”, tha ai.