Muça vrau veten për faturën e energjisë në ditëlindjen e djalit

Armand MAHO

Atë të martë Klaudio Muça kishte ditëlindjen e djalit. “Qëndroi me mua deri në orën 11:00, më pas u largua për të mos e parë më. I thashë të qëndronim dhe pak, por më tha që e kish marrë malli për djalin. Në fakt, mërzia i kish ardhur ngaqë nuk kish se çfarë t’i blinte. Ishte hera e fundit që e pashë gjallë tim vëlla”, tregon Elvisi vëllai i të ndjerit.

Mjerimi

Shtëpia e Klaudio Muçës 31-vjeçarit gjendet vetëm 100 metra larg zyrave të OSSHEE, ose ajo që ai përdorte si banesë. Tek dera qëndronin dy persona të afërm të tij, të cilët tregohen të gatshëm për të na shoqëruar. Në hyrje të një llamarine që ishte improvizuar si derë shihje dhe lajmërimin për vdekjen e tij. Sapo kaloje pragun e hyrjes, trishtimi që sjell varfëria të kaplonte menjëherë. Gjithçka dukej sikur do rrënohej nga çasti në çast, dhe rrugica që gjarpëronte mes për mes oborrit të jepte përfytyrimin e asaj që do të gjeje brenda. Muret ngado ishin të lagësht e të ftohtë. Ajo që Klaudio kish përdorur si banesë vetëm e tillë s’mund të quhej. Pa dritare, pa shtresa pa asgjë. Tavane dhe mure të lagësht! Në mes të korridorit një tavolinë, disa orendi të falura në atë që  shërbente si dhomë gjumi që dukeshin sikur do rrënoheshin nga çasti në çast… Ajo çka reflektonte aty ishte një varfëri e tejskajshme që tregonte vuajtjet e njeriut që mbijeton çdo ditë e nga pak. Të atij që jeta i është kthyer në vuajtje e dëshpërim, të atij që shpreson që gjumi që e ka zënë në mbrëmje të vazhdojë gjatë, sa më gjatë deri në amëshim… E vetmja gjë e re në atë shtëpi ishte matësi i dritave, i vendosur në dhjetor pak metra larg vendit ku i ndjeri kish lidhur litarin për t’u vetëvrarë. Ai matës energjie, si shkaktari dhe dëshmitari i kësaj tragjedie…

Fatura në shumën e 800 mijë lekëve

Ajo që duhej të ishte një ditë gëzimi për të, si datëlindja e djalit të vetëm u kthye në mort. Ljubjana gruaja e tij tregon: “Atë ditë më mori në telefon dhe më tha se do vinte ta merrte djalin për një shëtitje. Por më parë ishte kthyer për tek zyrat e OSSHE. Kishte rreth dy vjet që na kanë prerë dritat që kur qeveria ndërmori një aksion, dhe na i kanë sjellë në dhjetor. Klaudio ishte pa punë, unë gjithashtu dhe problemi i dritave na ish kthyer në hall më vete. Atje i kishin thënë që kemi harxhuar 800 mijë lekë në një muaj. Po siç e shikoni këtu ska asgjë. Të vetmet gjëra që punojnë me energji janë ky TV i vjetër dhe këto dy llampa elektrike. Si mund të harxhojnë këto 800 mijë lekë energji. Nga zyrat u kthye në shtëpi dhe vetëm kur na lajmëruan se ka varur veten. E gjetën fqinjët!”, na thotë Ljubjana. Mjekësia Ligjore, ka dhënë si shkak të vetëvrasjes depresionin. Vëllai i tij Elvisi, tregon se atë ditë kishin qenë bashkë, por ishte ngritur, duke nxjerrë si arsye djalin. “Sapo u nda nga unë shkoi drejt e tek zyra e faturave. Ne nuk kemi qenë po na thanë se atje kish patur debat me punonjësin për shkak të faturës. Teksa vinte një fqinja jonë e kish pyetur se çfarë kishte, pasi e kish parë të prishur në fytyrë. “Ja kam ca probleme ashtu”, kaq i kish thënë. Ky ishte dhe personi i fundit që e ka parë, më pas ka hyrë dhe ka varur veten. Ja tek ai vendi aty”, na tregon me gisht Elvisi, drejt një trau në tavan, ku shiheshin qartë dy viza të kuqe, sikur i ndjeri ta kish shenjuar më parë vendin ku do flijohej. “Sot ka dalë OSSHE dhe ka thënë që vetëvarja nuk ka ardhur nga dritat. Vëllai im vërtet është rritur fukara bashkë me mua. Prindërit na kanë vdekur që kur ishim të vegjël, dhe jemi rritur tek të afërmit. Por ama, vërtet skemi marrë gjë nga asnjë sistem, por të rrosh pa drita është vuajtje e madhe. Sepse për të ngrënë do bëjmë si do bëjmë. Që kur ja preu OSSHE dritat përpara dy vjetësh, vëllai im ka jetuar pa familjen e tij, e nisi gruan dhe djalin tek prindërit e saj. Kur mori vesh dhe për një faturë prej 800 mijë lekësh, ajo ka qenë goditja e fundit që i ka dhënë. E ku t’i gjente, ju mërzit dhe shpirti… të paktën ai pati guximin ta bënte!”, thotë mes lotëve Elvisi.

Braktisja e shtëpisë nga bashkëshortja

Lubjana bashkëshortja e tij ka filluar të mbledhë ato pak gjëra që kanë mbetur, Ndonjë enë guzhine, a ndonjë plaçkë. Do e braktisë një herë e përgjithmonë shtëpinë ku hyri nuse 11 vjet më parë. “Nuk dua të jetoj më pa energji, unë s’kam t’i paguaj ato 800 mijë lekë për të cilat im shoq vari veten… Shtëpia le të rrënohet, le të bëjnë çtë duan me të”. Klaudio është përcjellë për në banesën e fundit rreth orës 12:00 dhe skanë kaluar më shumë se tre orë që ai është varrosur, por Ljubjana duket se e ka me ngut. Do të largohet sa më shpejt nga ai vend që i solli vetëm mjerim”. Më thanë se OSSHE kish thënë që Klaudio se vrau veten nga faturat… Por nga çfarë e vari veten im shoq?. E vari nga varfëria se ky shtet si dha kurrë një dorë?. Çdo ditë në errësirë, dhe atëherë kur t’i sjellin të thonë se ke harxhuar aq para sa ne si kemi parë ndonjëherë me sy. Unë nuk e di se çfarë bëjnë ata me shifrat që kanë aty dhe tani mund t’i manipulojnë si të duan. A mund të rrijë një fëmijë në errësirë, sepse prindi ska të paguajë, a mund të rrijë një fëmijë pa ngrohje në mes të dimrit. Ju e shikoni vetë a jetohet në këtë mënyrë”, shprehet gruaja e irrituar. Nuk ka lot, ndoshta ka qarë aq shumë sa lotët i janë shterur ndër vite…

Viktimë e rilindjes

Historia e Klajdi Muçës nuk është shumë ndryshe nga ajo që përjetojnë shumë shqiptarë, që fati i zgjodhi të jetojnë në këtë vend. Eshtë e ngjashme me ato të qindra e mijëra të tjerëve, të cilët rrijnë me frikë se mos kamikazët e Ramës, i sjellin ndonjë faturë. Po nuk qe energjia do jenë taksat e tjera, sepse filozofia e Rilindjes kjo është. Historia e Klajdi Muçës i përngjason tmerrit që duhet të përballemi të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak. Dhe i ndjeri ishte përpjekur, duke u munduar të bënte punë nga më të rëndomtat, por nuk ja kishte dalë. Në vendin ku u premtuan 300 mijë vende pune, sot jo vetëm që s’janë hapur, por njerëzit po shtyhen drejt vetërasjes. Dje e kishte radhën Klajdi nesër kush e di kush tjetër. Ashtu siç iku Lazri nga Lezha baba i katër fëmijëve, ose Hari nga Tirana 50 vjeç që vrau veten menjëherë sapo inspektorët e OSSHE i prenë energjinë, Llazari nga Vlora e kështu me radhë. Duket sikur shteti i ka hapur luftë qytetarëve të tij, dhe në veçanti atyre që janë më të varfër. Largohemi nga shtëpia e Klodianit, me ndjesinë e trishtë që na la mjerimi që gjetëm aty. Anxhelo djali i tij 11-vjeçar na ndjek me sy teksa largohemi. Prej ditës së martë ai është jetimi i radhës nga varfëria. Babai i tij vari veten, sepse nuk duroi me të jetonte pa të. Nuk duroi të ngrihej çdo mëngjes e mos ta shihte në shtratin e tij, sepse ishte i pafuqishëm që ta rriste. Nuk duroi dot që ta rriste në errësirë, në të ftohtë dhe pa asnjë të ardhme. Që nga dje, Shqipëria do të ketë dhe një jetim më shumë. Dhe kjo jo për hir të fatit… Klajdi Muça është një tjetër viktimë që prodhon varfëria, mjerimi dhe hajdutëria me emrin Rilindje…

Artikulli paraprakPa votimin elektronik nuk ka zgjedhje të lira
Artikulli tjetërSondazhi i IDRA: Rama ka humbur besimin e shqiptarëve