Heronjtë e “tripletë”-s së 2010-ës kanë dashur të karikojnë zikaltrit nëpërmjet faqeve të “Gazzetta dello Sport” në prag të derbit me Milan, që do të luhet të dielën e ardhshme.
MILITO – “Nuk besoj se lojtarët e Inter nuk japin maksimumin për ekipin, por çdo periudhë ka lojtarët dhe historinë e vet. Nuk duhet të harrojmë se po flasim për një skuadër që mban vendin e katërt në renditje. Gattuso i ka përcjellë të tijve karakterin e tij luftarak, por edhe koncepte të rëndësishme taktike. Është i njëjti Gattuso me të cilin përballesha në fushën e lojës. Por derbi është një ndeshje më vete dhe nuk mund të mungojë përqendrimi”.
MATERAZZI – “Çfarë duhet të bëjë Inter për ta fituar derbin? Të bëjë atë që po bën Gattuso, të luajë me zemër, pasion dhe aftësi. Cilësi këto që Inter ka treguar se i ka dhe që nuk mund t’i ketë humbur. Po të isha në vend të Spalletti-t, do t’i tregoja ekipit videon e Inter-Chievo 5-0. Në këtë mënyrë, të gjithë do të shikonin se sa bujarë dhe të sigurt ishin në atë periudhë. Kush do të jetë njeri i derbit? Icardi ose një mbrojtës. Është e vërtetë se mbrojtja e Milan është përmirësuar, por Mauro është Mauro. Mendoj se ndeshja do të vendoset nga krahët”.
CORDOBA – “Pjesa më e madhe e ndeshjeve vendoset në mesfushë, edhe pse për momentin nuk është e qartë se si do të luajë Spalletti. Lojtarët duhet ta duan këtë fanellë, ta kenë të qartë se kalimi tek Inter është një pikëmbërritje pas shumë sakrificash. Një fat që i takon pak vetave. Objektivi për t’u kthyer në Champions është një gabim. Inter duhet të mendojë vetëm për të fituar, ky duhet të jetë mentaliteti. Kush e shkundte grupin në momentet e vështira gjatë muajve të Triplete-s? Të gjithë dhe askush, mbylleshim në dhomat e zhveshjes, flisnim dhe më pas secili ishte përgjegjës për veten. Por disa përgjegjësi duhen kërkuar, nuk duhet të ekzistojë frika se mund të shtypesh nga presioni i madh”.
PANDEV – “Nëse je pjesë e një skuadre të bashkuar mund ta fitosh një derbi edhe me 9 lojtarë. Kur ne po humbisnim 1-0 dhe ishim me 10 lojtarë, Mourinho na tha se do të kishim fituar edhe po të mbeteshim me 9 lojtarë në fushë. Kështu ndodhi! Inter është një nga skuadrat e mëdha të futbollit botëror, ka një fanellë me peshë. Nëse jep gjithçka në fushë, ata tifozë specialë dinë të japin një shtysë të jashtëzakonshme. Përndryshe të vënë në shënjestër. Duke parë momentin që po kalon ekipi mendoj se është mirë që do ta luajë derbin në ‘transfertë’. Lojtarët e Spalletti-t duhet të jenë të qetë, edhe për shkak të avantazhit që kanë në renditje. Kanë gjithçka i duhet për ta fituar derbin dhe nëse e bëjnë, atëherë vendi në Champions do të ishte i siguruar”.