Trajneri i Francës Didier Deschamps nuk ka kohë për të festuar fitoren me goleadë ndaj Islandës. E ndërsa tifozët dhe lojtarët i gëzohen kalimit në gjysmëfinale, 47-vjeçari duhet të mendojë që tani për përballjen me Gjermaninë. “Gjermania është skuadra më e fortë në Europë dhe botë, por gjithçka është e hapur. Ndoshta ndaj Italisë u frikësuan pak, por ata ishin dhe mbeten favoritë në këtë Europian, ashtu sikruse ne. Jemi në sprintin e fundit dhe do të japim gjithçka në këtë përballje. Fakti që do të luajmë në shtëpinë tonë e bën edhe më të veçantë për ne, por gjithçka është e mundur, u shpreh Deshamps.
2 golat e pësuar e shqetësojnë jo pak Deschampin, sepse ndaj një skuadre eksperte si Gjermania, nuk mund të lësh asnjë hapësirë. “Jemi ndëshkuar me dy gola që tregojnë se nuk kemi qenë perfekte, megjithatë kemi treguar shumë gjëra pozitive. Jam i kënaqur për lojtarët për skuadrën dhe publikun. Ata e meritonin këtë gëzim të madh. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë entuziazëm deri në fund”, tha ai.
Oliver Giroud, autor i një dygolëshi ndaj islandezëve e pranon se ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë në finalet e një Europiani dhe Botërori, por për sulmuesin e Arsenalit më shumë rëndësi ka fakti, që Franca e theu mallkimin e një starti të dobët të ndeshjes. “Nuk e di nëse kjo ishte paraqitja ime më e mirë me Francën, por në turnetë madhorë si në “Euro 2012” apo në “Brazil 2014” nuk besoj se kam luajtur më mirë se kaq. E ndjeja veten të fortë psikologjikisht para se të niste takimi. Ishim mësuar me startin e dobët, por tani e kemi ndryshuar qasjen tonë”, u shpreh Giroud.
29-vjeçari e ka të qartë se gjysmëfinalja me Gjermaninë do të jetë një tjetër histori, pasi Franca do të ketë përballë një skuadër eksperte në turnetë madhorë. “Ndaj Gjermanisë do të jetë një ndeshje tjetër, ata janë kampionët e botës dhe gjithmonë janë kualifikuar në gjysmëfinale në katër turnetë e fundit madhorë. Do të jetë një ndeshje e madhe. Mezi po presim të marrim atë që humbëm ndaj tyre në “Brazil 2014”. Shpresoj që edhe publiku i Velodromme të na mbështesë në maksimum, siç bën gjithmonë”, përfundoi Giroud.