Mundësia e Juventus

Edgar Davids beson se Juventusi e ka një mundësi për ta mposhtur Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve, por e ka këshilluar atë që të bëjë kujdes nga Cristiano Ronaldo. Davids, ish-mesfushor i Juventusit, i bëri këto komente në ngjarjen “partita del cuore” në stadiumin e Juventusit. “Real Madrid? Mendoj se ka mundësi që ata të mposhten, por duhet të theksohet se ata kanë lojtarë që mund ta vendosin ndeshjen”, ka thënë holandezi.
Ai ka thënë se Juve duhet të bëjë kujdes nga Cristiano Ronaldo. “Po mendoj për lojtarët siç është Cristiano Ronaldo, i cili është një lojtar klasik kur Reali luan keq, ai gjithmonë ia del që të shënojë dhe ta vendosë rezultatin e ndeshjes”, ka thënë ai. “Është ndeshje e vështirë. Higuain dhe Dybala janë të mirë, por ata nuk janë të nivelit të Bale dhe Ronaldo”, ka shtuar Davids.
Ndërkohë, Dybala ka trembur Juventusin. Ka vetëm pak ditë që ka rinovuar kontratën me Juventusin deri në vitin 2022, por e ardhmja e Paulo Dybala-së nuk është aspak e sigurt. Sulmuesi argjentinas, i ashtuquajtur “Messi i ri” është në vëmendjen e të gjitha klubeve të mëdha, me Realin e Madridit dhe Barcelonën në krye të listës, të ndjekur nga Bajerni i Mynihut dhe dy Mançesterët.
Por duke parë statusin e këtyre klubeve, pa dyshim që në krye të preferencës së çdo lojtari qëndron gjithmonë klubi më i madh dhe ndoshta më “elegant” në botë, Reali i Madridit, të cilit Paulo Dybala nuk ia ka mbyllur dyert, duke trembur jo pak bardhezinjtë italianë. “Një e ardhme te Reali i Madridit? Pse jo, të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon 23-vjeçari për televizionin spanjoll “El Chiringuito”. “Gjithsesi, në këtë moment nuk dua të mendoj për asgjë tjetër përveçse për Juventusin dhe mbi të gjitha për finalen e Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit, e cila duhet fituar me çdo kusht”.
Përveçse me rinovimin edhe për pesë vite të tjera, numri 21 i skuadrës torineze përfitoi edhe një rritje page, e cila do të prekë lehtësisht 7 milionë eurot sezonale, shifër kjo që e bën lojtarin e dytë më të paguar pas Gonzalo Higuainit, me 7.5 milionë euro neto në vit.
Por të tilla shifra janë paga “normale” për ekipet që janë vënë në ndjekje të Paulo Dybala-së, prandaj Reali i Madridit dhe gjithë të tjerat që e duan janë gati që ta joshin duke i ofruar të paktën dyfishin e asaj që përfiton te Juventusi dhe në të tilla shifra situata bëhet e rrezikshme.

Exit mobile version