I ftuar në emisionin “Breaking” në “Top News”, gazetari Namir Lapardhaja ka folur për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike dhe Grupimi i “Rithemelimit”.
Lapardhaja tha se në PD ka vetëm dy realitete elektorale dhe jo tre apo katër siç mundohen ta paraqesin, sepse grupi i Bardhit dhe të tjerët që e ndjekin janë aty si pasojë e listave të mbyllura dhe nuk kanë mbështetje në elektoratin e djathtë.
Ai u shpreh më tej se do të kishte qenë më e ndershme dhe më korrekte politikisht që ky grup të niste një rrugë të tretë në PD dhe të takonte demokratët se sa ajo që bën, duke vajtur dhe u bashkuar me Sali Berishën për një karrige deputeti.
I pyetur nga gazetarja se si e sheh mundësinë e rikthimit të një pjese të deputetëve, pas përplasjeve të fundit mes tyre, në radhët e PD zyrtare, Lapardhaja tha se, jo vetëm ndaj tyre, PD e ka lënë derën e hapur ndaj kujtdo që beson tek disa vlera dhe parime, të cilat ajo i ka shprehur dhe i ka bërë publike.
“Partia Demokratike e ka lënë derën e hapur ndaj kujtdo që beson te parimet dhe vlerat, të cilat ajo i ka bërë publike. Reforma në Drejtësi, SPAK-u dhe marrëdhënia me ndërkombëtarët. Këto janë kufijtë e ndarjes, që Partia Demokratike duket se ka vënë. Këto në një aspekt të gjerë. Përveç kësaj, siç dihet, PD-ka një propozim dhe një alternativë për Reformën Zgjedhore, përsa i përket listave të hapura, Shqipërisë një zonë elektorale, votës së emigrantëve dhe vetingut në politikë. Në këtë kuptim, kushdo që përqafon këto parime, e ka derën e hapur. Mirëpo, atyre që nuk u interesojnë vlerat dhe parimet, por pazaret politike, ose do do të nënshtrohen tërësisht ndaj Sali Berishës, ose kjo marrëdhënie evazive ditën me Amerikën dhe natën me Berishën, sigurisht që nuk do të kishte jetëgjatësi dhe një ditë do të vinte te përplasja.” – u shpreh ai.