Mungesa e mjekëve atrofizon shërbimin shëndetësor në Dibër

Nga Hysen Likdisha

Mungesa e mjekëve të familjes, por edhe e mjekëve specialistë në spitalet e bashkive mbeten një problematikë e pazgjidhur për sistemin shëndetësor në qarkun e Dibrës.

Në spitalet e bashkive ka mungesë të theksuar mjekësh specialistë si: kirurg, reanimator, obstetër-gjinekolog, por çështja më akute e sistemit mbetet mungesa e mjekëve të familjes dhe infermierëve në zonat malore.

“Fshati jonë prej vitesh vuan nga mungesa e mjekut të familjes,” deklaron Servete Jangulli, 78 vjeç, nga fshati Godvi i njësisë administrative Zerqan të bashkisë Bulqizë. “Por edhe infermierja, aktualisht është caktuar të vijë në fshatin tonë vetëm një ditë në javë, të shtunën,” shtoi ajo, ndërsa shpjegoi se edhe një mjekim të thjeshtë apo gjilpërë munda të bëjnë vetëm një herë në javë.

Ismet Fiku, 69 vjeç, po nga ky fshat, shprehet se kur banorët e tij kanë nevojë për shërbim mjekësor, ata shkojnë në spitalin e Bulqizës, i cili ndodhet 8 kilometra larg.

Burime nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë i thanë BIRN se shqetësimi kryesor i tyre ka qenë mungesa e mjekëve të familjes, pasi shërbimi është i mbuluar aktualisht me 9 mjekë ose gjysmën e e organikës. Mungesa ka edhe për infermierë, me një dyzinë vakancash aktualisht aktive.

Për të marrë ndihmë mjekësore banorët e fshatit Dushaj duhet të udhëtojë me orë të tëra për të shkuar në qendrën shëndetësore të Fushë-Bulqizë, një udhëtim i cili gjatë dimrit bëhet i vështirë për shkak të dëborës.

Dy fshatra të tjerë – Dushaj dhe Kodra e Danit në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, me rreth 1 mijë banorë, kanë mbetur gjithashtu pa shërbim shëndetësor prej gati 2 vitesh për mungesë të një infermiereje.

“Për të marrë një shërbim të thjeshtë mjekësor, fjala vjen me matur tensionin e gjakut duhet të udhëtojmë me kilometra të tëra,” shprehet Veli Selmani, 72 vjeç, banor i këtij fshati.

Dile Curri, gjithashtu 72 vjeç, nga fshati Kodra e Danit, shprehet se gjatë dimrit banorët e tij janë të detyruar ti transportojnë “me krahë: të sëmurët për ti nxjerrë në rrugë, për ti çuar në spital.

Lavdrim Gjeleka, 60 vjeç, nga fshati Gjuras, në njësinë administrative Shupenzë të bashkisë Bulqizë, shprehet se dikur në fshatin tij vinte shpesh mjeku, por tashmë ky shërbim nuk ofrohet më.

“Tani jo mjeku që nuk shihet, por na ka “humbur” edhe shërbimi infermieres,” u ankua ai. “Fshati jonë është i largët, në zonë të thellë malore dhe nuk i leverdis kujt të vijë të punojë,” shtoi Gjeleka.

Esat Tufa 70 vjeç, nga fshati Lubalesh në njësinë administrative Gjoricë, tregoi gjithashtu se përveç mjekut në fshat mungon dhe infermierja, pasi ajo u largua me punë në Tiranë tek QSUT-ja.

“Për çdo shërbim shëndetësor duhet të udhëtojmë 6 kilometra në këmbë, për të shkuar në Qendrën Shëndetësore Gjoricë, pasi mungon edhe infrastruktura e duhur rrugore,” tha Tufa.

Situata raportohet e rëndë edhe për banorët e zonës së Gollobordës të bashkisë Bulqizë, ku mungesa e burimeve njerëzore në shërbimin shëndetësor është gjithashtu kritike.

“Golloborda me dy njësi administrative, Ostren dhe Trebisht, me shtrirje të madhe gjeografike, me rreth 4,423 banorë, ndër vite ka vuajtur për mungesë të funksionimit si duhet të shërbimit shëndetësor,” tha Rami Karasani. 75 vjeç, mësues në pension nga fshati Rodovesh i njësisë administrative Ostren.

Karasani tha se edhe pse këtë vit fshatit i ka ardhur një mjek i ri, ai nuk mjafton për dy njësi administrative.

“Në fshatin Rodovesh kemi infermiere të paktën,” theksoi ai, ndërsa shtoi se kur banorët kanë nevojë “i shkojmë në shtëpi.”

Qani Mata, 28 vjeç, nga fshati Kojavec në njësinë administrative Ostren, pohon se në fshatin e tij – gati i zbrazur nga banorët, nuk bëhet fjalë për prezencë dhe as infermieri.

“Për çdo nevojë shëndetësore që kemi na duhet të udhëtojmë drejt Ostrenit, 8 kilometra larg,” shpjegoi ai.

Mungesa e mjekëve të familjes, ka bërë që mbulimi i njësive administrative, të bëhet në mënyrë sporadike. Kështu edhe ata pak mjekë që kanë mbetur në shërbimin parësor shëndetësor të banorëve mbingarkohen për të mbuluar shumë fshatra njëherësh, gjë kjo që e zbeh dukshëm punën e tyre.

Në të tilla raste, pacientët duke mos pasur qasje tek mjeku i familjes, drejtohen në spitalin e bashkisë përkatëse ose atë rajonal të Dibrës. Në ditët që mjeku nuk është në njësinë e tyre administrative, pasi e ka turnin për të shërbyer në një njësi tjetër, konsultat mjekësore banorët i marrim nga infermierët.

Spitalet e bashkive Mat, Klos dhe Bulqizë, kanë pasur në vijimësi hemorragji të mjekëve dhe specialistëve që largohen për të punuar kryesisht në Tiranë dhe Durrës, por edhe jashtë vendit. Aktualisht në spitalin e bashkisë Bulqizë mungojnë mjeku obstetër-gjinekolog, kirurg, reanimator dhe kardiolog. Thuaj se po e njëjta situatë raportohet edhe në spitalin e Klosit edhe të Matit.

Fatmirësisht mësohet se nuk ka mungesa në mjek specialistë në Spitalin Rajonal Dibër. Madje, dy mjekë specialistë që kanë mbushur moshën e pensionit – Nazmi Kaja endokrinolog dhe Dilaver Corja neuro-psikiatër, vijojnë të punojnë me kontratë pune.

“Aktualisht Spitali Rajonal i Dibrës, nuk ka asnjë problem, si nga burimet njerëzore, ilaçe, pajisjet dhe ambientet, ku spitali është rikonstruktuar,” tha Irini Shehu, drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër.

“I vetmi problem për shërbimin shëndetësor aktualisht është mjeku i familjes,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se ata “nuk paraqiten në punë – fare-fare, dhe nuk kontrollohen nga drejtorët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor të bashkive’./reporter.al

Artikulli paraprakEkspertët bëjnë thirrje për ruajtjen e zbulimit arkeologjik në Durrës
Artikulli tjetërDepresioni/ Ekspertët thonë pesë ndryshimet në sjellje që tregojnë se keni një problem