Sapo ka ardhur dimri dhe, pas gjashtë muajsh me Valverde në stol, tashmë mund të nxjerrësh disa përfundime rreth preferencave te Barcelona. Janë tre lojtarë, që kanë marrë pjesë në 17 ndeshje të La Liga-s, pra në të gjitha ato të luajtura. Njëri prej tyre, sigurisht, është Leo Messi. Ylli i madh azulgrana jo vetëm i ka luajtur të gjitha lojërat, por nuk është zëvendësuar në asnjë prej tyre. Asgjë e çuditshme, lojtari më i mirë në botë luan gjithçka. Tjetër lojtar fiks është Ter Stegen dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Gara e tij ka qenë jetike, që ky kampionat të ruhet nga ndalesat në disa raste. Pritjet e portierit gjerman kanë rezultuar shpëtimtare në jo pak ndeshje. Leo dhe Ter Stegen janë “Pichichi” dhe “Zamora” në La Liga (shënuesi më i mirë dhe portieri me më pak gola të pësuar), kështu që është normale që ata të luajnë gjithçka.
“Tridenti” përfundon me një emër, që nuk është më aq i zakonshëm. Lojtari i tretë që ka luajtur të gjitha ndeshjet e kampionatit është Ivan Rakitiç. Kroati është bërë një pjesë jetike për Valverde. Ai është futbollisti, i cili i jep ekuilibrin ekipit në mesfushë. Taktikisht, ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, i cili di të jetë gjithmonë në vendin e duhur. Rakitiç është bërë shoqëruesi më i mirë i Busquets, i cili në sezonin e kaluar e pa shumë herë veten në vështirësi, se si duhej të mbulonte shumë hapësirë dhe nuk ia arriti. Tani me Rakitiç situata ka ndryshuar, sepse ata janë gjithmonë shumë afër së bashku në fushë. Një arsye tjetër që ka qenë thelbësore për përmirësimin e mesfushorit ka qenë se Valverde ka rivendosur besimin e tij.
Në sezonin e kaluar, Rakitiç kurrë nuk kishte vazhdimësinë e nevojshme. Luis Enrique e vuri atë në dhe jashtë ekipit, për asnjë arsye të dukshme. Dhe loja e kroatit çedoi. Valverde i ka dhënë atij besim të plotë që nga dita e parë. Nuk ka dyshim se së bashku me Busquets dhe Iniesta janë tre lojtarët fiks në qendër të fushës. Numrat thonë kështu: Ivan ka luajtur gjithçka, Busquets ka humbur një ndeshje dhe Iniesta tri ndeshje, të gjitha për shkak të lëndimit. Në rastin e Rakitiç, ai ka marrë pjesë në të gjitha ndeshjet zyrtare, përveç kthimit të Kupës së Mbretit, kundër Murcia.