Qindra raste dhe dy viktima janë shënuar prej fruthit gjatë tre muajve të fundit në Shqipëri, një shpërthim i sëmundjes infektive të zhdukur prej më shumë se një dekade, që vjen si pasojë e mungesës së vaksinimit. Dy foshnja, 4 dhe 8 muajsh kanë humbur jetën që kur në Shqipëri u rishfaq disa muaj më parë virusi i fruthit.Sëmundja e konsideruar e zhdukur prej më shumë se një dekadë u rikthye në janar të vitit 2018, ku dhe u identifikua një foshnje 4 muajshe, e cila më pas humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.Të dhënat zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, flasin për 352 fëmijë të prekur nga ky virus nën moshën 14 vjeç, në zona si Tirana, Lezha, Durrësi, Kukësi, Vlora dhe Elbasani.
Dy muaj pasi sëmundja infektive shpërtheu, në Urgjencën e Spitalit të Fëmijëve në QSUT paraqiten mbi 10 raste pacientësh në ditë, si të dyshuara të prekur nga ky virus – ndërkohë që në pavijonin e infektivit më mes të muajit mars ishin të shtruar 60 fëmijë që merrnin trajtimin mjekësor kundër fruthit. Sëmundja e menduar e zhdukur që nga viti 2007, është përhapur masivisht dhe sipas disa mjekëve të intervistuar nga BIRN vendi është në kushtet e një epidemie. “Nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ka deklaruar se jemi në epidemi të fruthit, do të thotë se i shmanget përgjegjësive institucionale, çka do të thotë se kërkon të minimizojë ose anashkalojë problemin”, i tha BIRN mjeku i sëmundjeve infektive, Pëllumb Pipero.
Ky fakt mohohet nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat deklarojnë se edhe pse situata është shqetësuese, shpërthimi i fruthit mbetet nën kontroll. Mjekët shpjegojnë se, në shpërthimin e fundit të sëmundjes së fruthit kanë ndikuar kultura fetare, frika nga vaksinimi, por dhe mosmarrja e masave të duhura të izolimit nga institucionet e shëndetit publik. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, rastet e fruthit në Europë u rritën katër herë gjatë vitit 2017, duke prekur më shumë se një 21 mijë persona dhe duke shkaktuar 35 viktima. “Çdo pacient i ri i prekur nga fruthi na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pa vaksinuar, kudo që ato jetojnë, rrezikohen të preken nga sëmundja dhe t’ia transmetojnë atë të tjerëve”, u shpreh në shkurt doktoreshë Zsuzsanna Jakab, drejtuese rajonale e OBSH-së në Europë. “Mbi 20 mijë raste fruthi dhe 35 jetë të humbura vetëm në 2017 janë një tragjedi që ne nuk duhet ta pranojmë”, shtoi Jakab.
Pavijoni i fëmijëve
Hera e fundit që virusi i fruthit është regjistruar në Shqipëri është gjatë viteve 2006-2007. Sipas një studimit të publikimit shkencor ‘International Journal of Science and Research’, gjatë atij shpërthimi u regjistruan 68 pacientë të prekur nga virusi. Një dekadë më pas pacientët e prekur nga virusi janë pesëfish më shumë. Djali 8 muajsh i Kimete Tushës është një prej tyre. Kimetja dhe i biri nga fshati Balldren i Lezhës prej disa ditësh ndodhen të shtruar në pavijonin e infektivit në Spitalin e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në dhomë ndodhen dhe tre fëmijë të tjerë nën moshën një vjeç, të cilët, sipas ekipit mjekësor janë të identifikuar si të prekur virusi i fruthit. I biri ka temperaturë të lartë, ndërkohë që lëkura e njomë është mbuluar me dregëza që i kanë shpërthyer në të gjithë trupin. “Ende nuk e di nëse djali ka fruth. Kam dy ditë e shtruar, por nuk janë bërë ende analizat”, tha Kimetja. “Thonë se nuk ka material e po presim”, të tregon gruaja nga fshati i Lezhës, një rajon ku deri më tani janë identifikuar 33 raste të fruthit. Mjekët e pavijonit të pediatrisë i thanë BIRN se, gjatë javës së dytë të muajit mars, janë pezulluar të gjitha analizat e ekzaminimit të fruthit për shkak të mungesës së kiteve. Ata shtuan se, vendosnin për shtrimin e fëmijëve në bazë të simptomave, në pritje të analizave përfundimtare.