Mungon Mesi e Nejmar

Football Soccer - Juventus v FC Barcelona - UEFA Champions League Quarter Final First Leg - Juventus Stadium, Turin, Italy - 11/4/17 Barcelona's Lionel Messi looks dejected after Juventus' Paulo Dybala scored their second goal Reuters / Alessandro Bianchi Livepic

Humbja përballë Juventusit duket se ka tensionuar edhe më shumë situatën te Barcelona dhe kjo shihej qartësisht sot, kur ekipi u kthye në ambientet stërvitore të klubit për të përgatitur ndeshjen e fundjavës në kampionat. Të gjithë futbollistët hynë kokëulur në fushë, pa entuziazmin e zakonshëm, si për të konfirmuar se situata nuk ishte aspak e qetë.
Trajneri Luis Enrike vendosi të bënte analizën e humbjes së mbrëmshme në fushën stërvitore, duke mbledhur lojtarët për rreth 30 minuta. Sipas mediave spanjolle, Enrike ka rreshtuar gabimet që u evidentuan një natë më parë dhe të cilat ai nuk ngurroi t’i tregonte edhe para mikrofonave të mediave në fund të ndeshjes, ku akuzoi disa futbollistë për “mungesë intensiteti” në lojën e tyre.
Edhe pse mesazhi përfundimtar i Luis Enrikës ishte ai i optimizmit, pasi mendonte se skuadra mund të prodhonte një tjetër përmbysje të madhe, tashmë lojtarët nuk duket se janë edhe aq shumë përkrah trajnerit. Kritikat e ndërsjella nuk kanë munguar që pas humbjes së thellë në Paris dhe këtë radhë kanë dalë përsëri në sipërfaqe.
Por në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm as Lionel Mesi dhe as Nejmar. Të dy futbollistët nuk janë paraqitur në fushën stërvitore të Barcelonës, pasi kishin zgjedhur që ditën e djeshme ta kalojnë në palestër. Nëse mungesa e Nejmar mund të jetë e kuptueshme, pasi do të mungojë në fundjavë për shkak pezullimi, ajo e Mesit nuk është shpjeguar nga klubi, i cili nuk ka bërë të ditur nëse argjentinasi kishte shfaqur shqetësime fizike pas ndeshjes me Juven.
Telashe dhe në La Liga për Barcelonën. Neymar një ndër më të kritikuarit në disfatën e pësuar nga Juventusi, me mediat spanjolle që e etiketuan brazilianin si një fantazëm në fushë, u pezullua për 3 ndeshje. Kartoni i parë i kuq i Neymar me fanellën e Barcelonës me të cilën ka luajtur 179 ndeshje, i kushton vërtet shtrenjtë, pasi me 3 ndeshjet e pezullimit braziliani humbet El Clasicon me Realin në “Bernabeu” që është në program pas dy javësh.
Gjykatësi sportiv e dënoi Neymar me një ndeshje pezullim për ndëshkimin me dy kartona të verdhë dhe dy të tjera për sjelljen aspak sportive në drejtim të trupës së gjyqtarëve, pasi kishte marrë kartonin e kuq, me duartrokitje ironike e ndonjë fjalë më tepër, sjellje kjo që kishte përfunduar në raportin e arbitrit Gil Manzano.
Pezullimi i Neymar pritet të gjenerojë jo pak polemika, duke qenë se braziliani është një ndër lojtarët që pëson më shumë faulle në kampionatin spanjoll. Më shumë se sa për dy kartonat e verdhë, Neymar duket se paguan duartrokitjen ironike dhe ofendimet në drejtim të arbitrave, të njëjtin fat pati dhe Lionel Mesi në kombëtare, ku u ndëshkua me 4 ndeshje pezullim.

Exit mobile version