Mungon vetëm një Jaltë e re

Mario Sechi
“Il Foglio”

Zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i thënë fjalën fund rrëfimit të “shekullit të shkurtër” (Eric Hobsbawm) që nuk donte të largohej, Nëntëqindës. Cili është fillimi i ri? Le të rinisemi nga Jalta dhe nga një foto të cilën kushdo që ka lexuar ndonjë libër të historisë moderne e njeh: Winston Churchill, Franklin Delano Roosevelt dhe Josif Stalini janë në Krime, të ulur, pozojnë për ta bërë (pothuajse) të përjetshëm imazhin e rendit të ri botëror.
Churchill është i kërrusur me kapotën e tij, shtrëngon midis gishtave të dorës së djathtë puron kubaneze që nuk e ndante asnjëherë; Roosevelt, shumë elegant, ka një cigare në dorën e djathtë; Stalini mban uniformën e luftëtarit, mustaqet e lëvizura nga një buzëqeshje e lehtë, çizmet e zeza që i shkëlqejnë, duart e mbërthyera njëra me tjetrën. Janë tri fitimtarët e luftës: Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia. Deri në 1989, Jalta “rregullon” raportet midis fuqive, në mes, Lufta e Ftohtë. Rënia e Murit të Berlinit në 1989 e prish këtë pakt, por asgjë nuk e zëvendëson, Francis Fukuyama shkruan se “historia ka mbaruar”, nis një 20-vjeçar i globalizimit amerikan. Pax totale? Jo, është fillimi i një historie të re: fillon mëngjesin e 11 shtatorit 2001 me sulmin ndaj Kullave Binjake në New York (shokimi i parë amerikan), vazhdon me kënetën e gjakut e luftës në Irak në 2003 (shokimi i dytë amerikan), avancon me krizën financiare e 2008 (shokimi i tretë amerikan), kërkon një përgjigje me zgjedhjen në 2008 e njeriut të parë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama (reagimi i parë), pax është prishur, është në zhvillim një luftë financiare dhe ekonomike e paprecedent, Kina bëhet prodhues serial dhe eksportuesi i parë i botës, tregtia botërore rrudhet për herë të parë nga vitet Nëntëdhjetë, Europa hyn në krizën e saj të pleqërisë pa urtësi, anija kozmike e Perëndimit rrotullohet në vetvete me Brexit e Mbretërisë së Bashkuar në 2016 (reagimi i dytë) dhe bie në pikiatë me zgjedhjen e Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara (reagimi i tretë).
Në mes, humbja e të ardhurave të klasës së mesme në vendet me ekonomi të avancuar, ngritja e partive populiste në Europë dhe një rishfaqje të historisë progresive, të heshtur, të pandalshme: Ariu rus zgjohet nga letargu dhe Vladimir Putini luan gjithçka me ushtrinë e tij në kufijtë e Europës dhe në Lindje të Mesme. Jalta nuk është më, mbijetojnë strukturat dhe forumet e lashta të saj, por pa një mision të qartë (shiko në zërin NATO), pasiguria dhe konfuzioni dominojnë skenarin.
Është çrregullimi botëror i fotografuar nga Henry Kissinger në librin e tij të fundit “World Order”, kërkimi i nevojshëm dhe urgjent i një valixheje diplomatike të rë plot me rregulla që u përgjigjen pyetjeve të bashkëkohësisë, një ide e përbashkët që rregullon trafikun e çmendur të kombeve që janë kthyer në timon të një rruge pa semaforë dhe pa tabela rrugore.
Rregulla të pranuara, konsensus, ekuilibër të forcave, legjitimitet dhe pushtet. Kush do t’i shkruajë? Le ta rimarrim foton nga ku jemi nisur, le të kthehemi tek Jalta. Le të zëvendësojmë fytyrën (dhe veshjen) e Churchill me atë të Theresa May, Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar me një këmbë jashtë nga Europa, fytyrën (dhe flokët) e Roosevelt me atë të Presidentit të sapozgjedhur Donald Trump; mustaqet e Stalinit me sytë e akullt e Vladimir Putinit.
Janë tri karrige, kështu që nevojitet një e tretë për Kinën e Presidentit Xi. E mundur? E nevojshme dhe urgjente. Shtetet e Bashkuara janë në një masë të madhe fuqia e parë botërore, Mbretëria e Bashkuar (jo rastësisht e ftesa e parë e Trump ka qenë për Theresa May) është aeroplanmbajtësja e Amerikës në Europën e plakur e të lodhur që ka nevojë si asnjëherë më parë për marrëdhënie transatlantike të reja dhe energjike, Rusia është lojtari pa paragjykime (dhe efikas) i Europës Lindore dhe i Lindjes së Mesme, Kina superfuqia demografike, një eksperiment social me voltazh dhe arkëtim të lartë.
A ka një fill të kuq midis këtyre aktorëve? Po, kthimi i kombeve dhe avullimi i asaj që kishte mbetur nga Jalta, zbehja dhe populli. Trump është produkt i votës së klasës së mesme me të ardhurën e dhjetuar fare, zgjedhja e një Amerike të përbërë nga traktorë dhe fabrika, fermerë dhe punëtorë, të zgjuar në mëngjes, ultësira të pafundme gruri dhe misri, ofiçina, zinxhira montimi dhe furra çeliku të zjarrta; Theresa May është fryt i një gabimi në kalkulim të një lideri (David Cameron) dhe korrigjimi në ecje e sipër i një devijimi të historisë, është hungërima onirike e një perandorie të pamundur që ëndërron kthimin e Komonuelthit dhe ndahet nga Bashkimi Europian, por me dëshirën që t’i ketë maksimumin e ushqimeve, është ishulli i Anglisë që lundron mbi puset e Detit të Veriut, forcën bërthamore e nëndetëseve Trident nën ujë dhe xhinin e Londrës që derdhet në banakët e klubeve të Sitit në rrezik; Vladimir Putini është enigma e Kremlinit, një koktej vdekjeprurës heshtjeje dhe aksioni të papritur, diplomacia e Princit Aleksandr Gorshakov që rigjen Carin e tij, një vend i mbërthyer në ngricë, i akullt, në kërkim të dëshpëruar të një modus vivendi për të mos vdekur brenda, i detyruar që të kërkojë jetë jashtë me ushtritë e tij për të mos shuar zemrën e Nënës së Madhe Rusi; Kina është Adam Smithi në Pekin, fabrika në epokën e riprodhueshmërisë së saj, miliardi që rritet, ndot, del nga uria, futet tek pasuria, blen troje në Afrikë, zgjeron gjuetinë e tij jashtë kufijve dhe mistereve të pambarimta të saj, tentativën e Xi për të mos u hallakatur në demokracinë e pamundur dhe ta mbajë tregun të kapur pas lirisë së kushtëzuar të një titani që duhet të ushqehet dhe ushqen fëmijët e tij.
Theresa May, Donald Trump, Vladimir Putin (dhe në karrigen e katërt Xi) do të jenë Jalta e re? Prapa tyre nuk janë admiralët, këshilltarët, strategët me shumë yje dhe tru. Nuk është ministri i Jashtëm, Vyacheslav Mikhailovich Molotov, nuk është Gjenerali George C. Marshall, nuk është Marshalli Sër Alan Brooke, nuk është Admirali William Leahy. Prapa tyre janë popuj që nuk kanë parë kurrë luftën, por kanë shijuar frutin e paqes, miliona të papunë e pa të ardhur në Perëndim, miliona biznesmenë të rinj dhe miliona familje që jetojnë revolucionin industrial të tyre, flluska imobiliare, shpërfytyrimi i periferisë që bëhet qiellgërvishtëse pa fshat dhe komunitet.
Amerika e Trump? Është gjithmonë po ajo: Bibël dhe revolver Colt. Mbretëria e Bashkuar? Ajo që duhet të kalosh La Manshin. Rusia? Një matrioshkë. Gjithçka kuadron. Mungon vetëm një Jaltë e re.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakVentura: Spanja? Mendojmë për Shqipërinë
Artikulli tjetërPo bie e Majta