Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, ka thënë se kostoja e ndërtimit të murit me Meksikën, i propozuar nga presidenti Donald Trump, do të jetë nga 12 deri në 15 miliardë dollarë. Ryan ka thënë se Kongresi do të paguajë për ndërtimin e murit.
Zyrtari republikan i ka bërë këto komente para mediave në Filadelfia, ku ligjvënësit republikanë janë duke e mbajtur takimin vjetor për ndërtimin e strategjisë së tyre. Ryan nuk ka pranuar të thotë nëse çmimi për ndërtimin e murit do t’i shtohet deficitit apo nëse Kongresi do të gjejë mënyra të tjera për ta mbuluar shpenzimin.
Trump pritet të flasë para këtyre ligjvënëse të enjten, një ditë pasi e ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se synon të ngrejë “zona të sigurta për refugjatët në Siri”, si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA.
Trump i bëri komentet në një intervistë me televizionin “ABC”. Ai tha se ka vendosur për planin pasi ka parë luftën e Bashkimit Evropian me krizë të madhe refugjatësh, që kryesisht kanë dalë nga lufta civile në Siri. “Mendoj se Evropa ka bërë gabim të madh duke lejuar miliona njerëz të hyjnë në Gjermani dhe vende të tjera”, tha Trump.
Kritikët e quajnë një mision me rrezik maksimal, por Presidenti i SHBA i përmbahet premtimit të fushatës elektorale: gardhi në kufirin me Meksikën duhet të kthehet në mur. Me nënshkrimin e një dekreti të posaçëm presidencial, Donald Trumpi ndërmori hapin e parë për të ndërtuar një mur kufitar me Meksikën. Presidenti i SHBA nënshkroi një urdhër për fillimin e këtij projekti shumë të diskutueshëm. Për vënien në jetë të këtij premtimi elektoral, ekspertët llogarisin shpenzime që do të kapin shumën e 40 miliardë dollarëve. Trumpi do ta vërë gurin e parë për murin që këtë vit. “Ai do ta frenojë vërshimin e drogave dhe të kriminalitetit”, tha zëdhënësi qeveritar Sean Spicer për murin.
Kufiri midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara ka një gjatësi prej 3200 kilometrash. Një pjesë e tij është e siguruar me gardhe kufitare dhe barrikada. Synimi është që të pengohet tregtia ndërkufitare me droga ilegale, si dhe kalimi i kufirit prej personave pa leje qëndrimi.
Para të hedhura krejtësisht dëm – paralajmërojnë ekspertët
Por ekspertët e konsiderojnë ndërtimin e murit, për shpalljen e të cilit Trumpin e brohoritën në fushatë disa herë mbështetësit e tij, si para të hedhura dëm. Në rajone malore dhe në shkretëtira ai praktikisht nuk ka efekt, thonë ata. Atje ai mund të ngrihet vetëm me vështirësi të mëdha dhe me shpenzime tepër të mëdha, argumentojnë ekspertët.
Edhe vetë sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Kelly, që ka qenë gjeneral i Forcave të Armatosura, deri tani është treguar i kujdesshëm me shprehjet për këtë temë. “Një barrierë fizike në vetvete nuk do të bëjë punë”, tha ai para Senatit.