Një tjetër emër i madh i botës së sportit i përfshirë në akuzën për evazion fiskal. Pas Lionel Messi-t dhe Cristiano Ronaldo-s, në listën e personave që akuzohen për evazion fiskal është përfishirë edhe ai teknikut te Manchester United, Jose Murinjo. Prokuroria e Madridit ka ngritur akuzën e saj për portugezin, për fshehjen e shumës së 3 milionë eurove. Akuza është bërë për vitet 2011-2012, në bazë të kontratës së punës të firmosur me klubin e Realit të Madridit më 31 mars të 2010, vit në të cilin “Special One” është bërë rezident fiskal në Spanjë.
Akuza e bërë është ngritur në bazë të parave të fituara nga e drejta e imazhit. Gjatë këtyre javëve hetimi tatimor në Spanjë ka përfshirë emra shumë të rëndësishëm të botës së futbollit. Lionel Messi së bashku me babin e tij arritën t’i shpëtonin dënimit me burg, duke ia shndërruar masën e dhënë në gjobë. Pas tij është sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili është në pritje se si do të ecin procedurat hetimore. I fundit i vënë nën akuzë është emri i Jose Murinjos. Portugezit tashmë nuk i ngelet gjë tjetër veçse të kërkojë ndihmën e avokatëve për ta mbyllur sa më shpejt këtë çështje.
Cristiano Ronaldo nuk është i vetmi lojtar i Real Madridit që është në telashe me drejtësinë. Probleme ka edhe Luka Modriç, për të cilin Prokuroria në Kroaci ka nisur hetimet për dhënien e një dëshmie të rreme gjatë një procesi gjyqësor, lajm që u konfirmua nga vetë ky institucion. Drejtuesit e Prokurorisë kroate nuk e përmendën emrin e futbollistit për shkak të procedurës standarde të hetimeve, por përshkrimi i bërë prej tyre përputhet plotësisht me Modriç. Po kështu, edhe sipas mediave vendase, futbollisti kroat që është në qendër të këtyre hetimeve është pikërisht mesfushori i Realit të Madridit.