Murinjo “bekon” formulën e Botërorit

Kualifikimi i Shqipërisë në një kampionat botëror nuk është një ëndërr e parealizueshme, për më tepër në momentin që UEFA do të shtojë ekipet pjesëmarrëse. Gazeta e njohur gjermane “Bild” ka zbuluar se ideja e presidentit të FIFA-s, Infantino, për të luajtur një Botëror me 48 skuadra do të bëhet realitet në vitin 2026.
Pavarësisht faktit që shumë persona dhe skuadra e kanë kritikuar këtë vendim, ai do të vihet në jetë pas nëntë vitesh dhe në këtë mënyrë, skuadrat e vogla që nuk kanë pasur kurrë fatin të luajnë në një kompeticion të rëndësishëm mund të përfitojnë prej këtij projekti. Shqipëria është njëra prej tyre që arriti të merrte pjesë në Europian, pikërisht për shkak të shtimit të numrit të skuadrave.
“Bild” ka zbuluar, se në Botëror do të ketë 16 grupe me nga 3 skuadra dhe pastaj do të zhvillohen ndeshjet me eliminim direkt. Ekipi kampion i botës do të zgjidhet pas shtatë ndeshjesh, sipas formatit të ri.
Trajneri i Junajtid, Zhoze Murinjo, e ka bekuar këtë format dhe ka thënë se do të ndihmojë skuadrat e vogla. “Sigurisht që jam pro, sepse do të ndihmojë ekipet që nuk kanë shumë mundësi të marrin pjesë dhe do t’u japë shansin të prezantohen në këtë kompeticion”, përfundoi Murinjo.

Exit mobile version