Murinjo do Hysajn

Jose Murinjo kërkon Elseid Hysajn te Manchester United. Ky është lajmi i bujshëm i Goal.com për futbollistin e Napolit dhe të kombëtares shqiptare, për të cilën më parë kanë dalë në skenë edhe emra të tjerë të mëdhenj të futbollit europian. Sipas faqes së specializuar në zhvillimet futbollistike në kontinent, gjatë verës United do të paraqesë një ofertë konkrete për 23-vjeçarin, i cili konsiderohet nga mbrojtësit më të mirë anësorë në Serinë A. Në fakt interesimi për Hysajn lidhet me disa vendime të rëndësishme të “Djajve të Kuq” në lidhje me të ardhmen e Luke Show, Matteo Darmian apo Ashly Young. Të tri këta lojtarë kanë kaluar në plan të dytë nën udhëheqjen e Murinjos dhe me shumë mundësi e ardhmja e tyre do të jetë larg “Old Trafford”. Hysaj, shpjegohet në lajmin e publikuar nga Goal.com, mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes, pavarësisht se preferon të djathtën. Në kontratën e rinovuar të Elseid Hysaj është përfshirë një klauzolë largimi 50 milionë euro, me Manchester United që është gati të hyjë në bisedime me Napolin. Uebsajti sportiv “Goal” ka nisur të ndezë sfidën mes Napolit dhe Juventusit, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme, në stadiumin “San Paolo”. Mes të tjerave, analistët sportivë të kësaj medieje kanë provuar që përveç analizës së të dyja ekipeve të ndërthurin edhe skuadrën më të mirë që mund të formonin këto dy skuadra, ku pa dyshim rezultati ka qenë mjaft interesant. Por ajo që bie më shumë në sy është fakti se për “Goal”, Elseid Hysaj është mbrojtësi më i denjë për të mbuluar korsinë e djathtë të mbrojtjes, duke djegur dy juventinët, zviceranin Stefan Lihshtajner dhe brazilianin Daniel Alvesh. Pjesa tjetër e formacionit 4-2-3-1 do të përbëhej nga Bufon; Aleks Sandro, Bonuçi, Kulibali dhe pikërisht Hysaj në të djathtë; Pjaniç dhe Hamshik përpara mbrojtjes, ndërsa Insinje, Dibala dhe Mertens do të ishin në mbështetje të Higuainit. Ndërkohë, përveç analizës së “Goal”, e cila vlerëson shumë talentin shqiptar, është media angleze në kor, e cila nënvizon se tashmë Elseid Hysaj është një nga objektivat kryesorë të Jose Murinjos për në verë. Trajneri portugez kërkon me çdo kusht shkodranin në radhët e Manchester United, për t’i besuar atij korsinë e djathtë të mbrojtjes, aq sa “Djajtë e Kuq” janë gati të paguajnë klauzolën prej 50 milionë eurosh që Napoli i ka vënë Hysajt. Në tribunën e stadiumit “San Paolo” do të jetë i pranishëm edhe një vëzhgues i Manchester United që do të bëjë një vlerësim nga afër për mbrojtësin shqiptar në këtë përballje mjaft të fortë. Nën vëzhgimin e të dërguarit të Jose Murinjos do të jetë edhe Mertens.

Exit mobile version