Murinjo: Jetë ferri!

Rrëfimi i pazakontë i Jose Murinjos. Jemi mësuar shpesh që portugezin ta shohim përpara mediave si një njeri të fortë, me një karakter disi të vështirë dhe hera-herës disi arrogant. Pavarësisht këtyre karakteristikave edhe njerëzit më të fortë kanë pikat e tyre të dobëta dhe Murinjo nuk i shpëton dot kësaj pjese, duke patur parasysh se ai është babai i dy fëmijëve. Momentalisht aventura e tij në kampionatin anglez si trajner i Manchester United nuk po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Special One” shprehet se jeta e tij në Manchester është një katastrofë e vërtetë. Jo në aspektin profesional, por atë personal. “Momentalisht po jetoj në hotelin më të mirë që ka Manchesteri. Gjatë gjithë kohës kam nga pas paparacët, të cilët më ndjekin kudo. Nuk më bezdis edhe aq ky fakt, por ka momente ku unë dua të dal, të bëj dy hapa i vetëm, të ulem në një restorant të konsumoj ndonjë gatim të shijshëm, por e kam të pamundur”, u shpreh Murinjo.
Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë. Jose Murinjo nuk ka një shtëpi të tijën në Manchester, pasi ai jeton në një hotel. Madje, ai shprehet se nuk e shqetëson aspak ky fakt, pasi me humor deklaron se nuk di të gatuajë. Kështu që, jeta në hotel është më komode.
Nga aspekti profesional në atë personal. “Special One” është babai i dy fëmijëve. Një djali dhe një vajze. Mungesa e tyre ndikon shumë tek trajneri i Man.United, pasi siç e thotë dhe vetë ai tashmë ata janë në një moshë madhore, kanë angazhimet e tyre dhe takimet janë më të pakta.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me fëmijët e mi. Vajza javën e ardhshme do të festojë 20-vjetorin, ndërsa djali përpara disa javësh bëri 17 vjeç. Të dy ata studiojnë në shkollat e Londrës dhe takimet tona janë më të pakta, për shkak se ata tashmë kanë një kohë më të limituar, nuk mund të jenë pranë meje si dikur. Për herë të parë familja ime po bën një jetë ndryshe”, përfundoi Murinjo.
Ndërkohë, aventura e Henrikh Mkhitaryan me Manchester United pritet të përfundojë para kohe. Edhe pse u transferua me bujë gjatë merkatos së verës te “Djajtë e Kuq”, armeni nuk është përshtatur në “Old Trafford”, duke pasur dhe shumë pak minuta aktivizimi. Për këtë arsye trajneri Jose Murinjo është gati ta lërë të lirë mesfushorin për t’u larguar në merkaton e janarit. 27-vjeçari duhet të fillojë të mendojë për skuadrën e re, pasi është e qartë që te United nuk ka më hapësira për të.

Exit mobile version