Ljuk Shout i është treguar dera e “Old Trafford” nga Zhoze Murinjo përpara ndeshjes së sotme kundër Evertonit. Trajneri i Junajtid tha se sjellja e 21-vjeçarit nuk mund të krahasohet me atë të mbrojtësve të tjerë të majtë: Eshli Jangut, Mateo Darmianit dhe Dalej Blindit. Shou u thërrit dje në mëngjes në qendrën stërvitore “Carrington” për t’iu thënë se nuk është pjesë e planeve të klubit nëse nuk ndryshon sjelljen e tij. Ai ka luajtur vetëm njëherë që prej fundit të janarit dhe nuk ishte as në stol kundër Uest Bromuiçit të shtunën.
“Është e vështirë për të që të jetë në stol, sepse unë nuk mund ta krahasoj atë me Jangun, Darmianin dhe Blindin. Unë nuk mund ta krahasoj mënyrën sesi stërvitet, përkushtohet, përqendrohet dhe ambicien e tij. Ai është shumë pas”, tha Murinjo gjatë konferencës për shtyp. Kur gazetarët e ngacmuan se Shou është një lojtar i kombëtares, i cili luajti në miqësoren kundër Gjermanisë muajin e shkuar, portugezi u përgjigj: “Xho Hart është një lojtar i kombëtares angleze, por që luan i huazuar në Itali”.
Shou u transferua te “djajtë” nga Sauthemptoni për 32 milionë paund në verën e 2014-ës, por një dëmtim serioz dhe, më pas, mungesa e besimit nga trajneri, kanë bërë që ai të luajë vetëm 29 ndeshje në Premier Ligë.
Murinjo premtoi se do të luajë me skuadrën më të fortë të mundshme në javën e 31-të të Premier Ligës. Ai beson se vendi i katërt është ende i arritshëm nga skuadra e tij. “Kundër Evertonit do të përpiqemi që të luajmë me skuadrën më të fortë të mundshme dhe ta fitojmë ndeshjen. Unë do të kisha luajtur me një skuadër rezervash për të mbrojtur lojtarët në Ligën e Europës vetëm nëse nuk do të kishim asnjë shans matematikor që të renditeshim mes katër vendeve të para”, tha ai. 54-vjeçari tha se Ibrahimoviç pritet të rikthehet titullar pas shlyerjes së pezullimit, por nuk është ende i sigurt për rikthimin e Pol Pogbasë në 100% nga dëmtimi.
Ndërkohë, Aleksis Sançez po e mendon seriozisht kthimin në Serinë A, ku u bë i famshëm me fanellën e Udinezes. Por këtë radhë, sulmuesi kilian, i cili nuk ndjehet më i lumtur në Angli me Arsenalin, kërkon një skuadër më prestigjioze dhe me sa duket, menaxheri i tij do të fillojë bisedat me disa pretendentë. Në ditët e kaluara është folur për interesimin konkret të Juventusit dhe Interit për futbollistin, ndërsa së fundmi është mësuar se një takim me menaxherin e tij e ka rezervuar edhe Milani. Përfaqësuesi i Sançez pritet në Itali në fundin e muajit prill dhe ka planifikuar takime me të gjitha skuadrat e interesuara për 28-vjeçarin. Për momentin, është mësuar vetëm shifra që Interi duket i gatshëm t’i ofrojë lojtarit. Atij i është bërë gati një kontratë katërvjeçare nëpërmjet të cilës do të fitojë 7,5 milionë euro në sezon.