Murinjo konfirmon qëndrimin e Ibrahimoviç

Mançester Junajtid ka vendosur që të konfirmojë Zlatan Ibrahimoviç dhe do të mbajë sulmuesin suedez edhe në sezonin e ardhshëm. Konfirmimi ka ardhur nga Zhoze Murinjo, i cili në konferencë për shtyp u dha fund të gjitha zërave për një lamtumirë të tij në fund të sezonit, pasi suedezi ishte shprehur i gatshëm të “pushtonte Amerikën”.
“Situata e Zlatan është  thjeshtë. Ai ka një kontratë 1+1 me klubin. Ne jemi të lumtur me të. Ne do të ekzekutojmë të drejtën e nënshkrimit për sezonin e dytë”, tha Murinjo dje para gazetarëve.
“Pas dy vitesh ai mund të bëjë çfarë të dojë pasi do të jetë i lirë. Në 18 muajt e ardhshëm ai është i lumtur, i përkushtuar dhe duke iu gëzuar jetës së tij si futbollist i Junajtid, sfida e fundit e madhe e karrierës së tij. Është perfekte që ai të qëndrojë këtu edhe 18 muaj pastaj të marrë një vendim”, deklaroi trajneri portugez.
Ndërkohë, Stivën Xherrard do të tërhiqet nga futbolli i luajtur. 36-vjeçari ka bërë të ditur dje vendimin e tij për të varur këpucët në gozhdë duke i dhënë fund një karriere të ndritur që zgjati 19 vjet. “Pas spekulimeve të fundit në media rreth të ardhmes sime, konfirmoj tërheqjen nga futbolli i luajtur”, thuhet në një komunikatë të lëshuar dje nga mesfushori. “Pata një karrierë të pabesueshme dhe i jam mirënjohës për çdo moment Liverpulit, kombëtares dhe Los Anxheles Galaksi”, tha ai.

Artikulli paraprakEto’o, rrezikon 10 vjet burg
Artikulli tjetërBayerni në krizë