Zhoze Murinjo nuk i kalon në heshtje kritikat apo akuzat që i bëjnë dhe nuk ka ndërmend që të tregohet “diplomat” në Premier Ligë. Portugezi ka reaguar pas deklaratave të Jurgen Klopit dhe Arsen Vengerit mbi blerjen e Pol Pogbasë për më shumë se 120 milionë euro. Ata e cilësuan si një çmenduri, madje tekniku i Liverpulit u shpreh se do të jepte dorëheqjen, nëse do t’i ndodhte një blerje e tillë në skuadër. “Speciali” i ka cilësuar si jo etike, ndërkohë që ka zbuluar dëshirën për të pasur në ekip Renato Sançesin dhe mbi të gjitha “thumbon” Kristiano Ronaldon për gjestet që kreu gjatë finales së kampionatit Europian… “Unë flas vetëm për veten. Kam parë që disa kolegë të klubeve të tjera të flasin për ne. Kjo nuk më pëlqen. Nuk është aspak etike. Ka disa gjëra, që kur i bëj unë, nuk janë etike. Por, kur i bëjnë të tjerët, cilësohen si diçka normale. Unë nuk flas për të tjerët. Ata mund të bëjnë çfarë të kenë dëshirë. Unë vazhdoj të mendoj se merkatoja jonë është e mirë”.
“Ne marrim vendime dhe kemi vendosur që të marrim katër lojtarë dhe jo 10. Kërkojmë futbollistë që të jenë të nivelit të Mançester Junajtid. Katër sportistë që mendojmë se do e rrisin nivelin e skuadrës. Ky është synimi ynë në merkato”. “Kemi afruar një mbrojtës të ri, Bailin, i cili ka nevojë për pak kohë, por që do të bëhet një nga më të mirët në botë, sepse ka shumë potencial. Një futbollist kreativ, Mkhitarjanin, të cilit ia njohim të gjitha cilësitë dhe një sulmues super si Ibrahimoviç. Jemi duke marrë edhe një mesfushor të shkëlqyer. Jam shumë i kënaqur me skuadrën dhe me mbështetjen që po na jep klubi. Pjesa tjetër, janë probleme që shqetësojnë rivalët tanë”. “Nuk dua të flas për shtëpitë e të tjerëve, por vetëm për timen. Aktualisht, Pogba është pjesë e Juventusit, ndaj dhe nuk dua ta komentoj. Merkatoja përfundon më 31 gusht, por unë dua që skuadra ime të jetë e kompletuar para datës 14. Pra, afrimi i fundit do të jetë brenda këtij afati”.
“Është e njëjta histori në të gjitha klubet e botës. Trajnerët vendosin mbi skuadrën dhe për lojtarë të caktuar, nëse janë apo jo në planet e tyre. Unë normalisht punoj me 20 futbollistë, plus tri portierët. E kam bërë prej 15 vitesh këtë gjë. Aktualisht kemi një numër të lartë futbollistësh në dispozicion dhe më takon mua të zgjedh se me cilët do e përballoj sezonin. Ka për të qenë një edicion i ngjeshur, pasi përveç kampionatit, kemi edhe Ligën e Europës. Unë i kam marrë vendimet dhe askush nuk ka pse të çuditet. Kostot e tyre i mbaj unë nëse dështojmë. Është e thjeshtë”.
“Gjatë finales së Europianit, mendoj se humbi pak kontrollin prej emocioneve. Filloi të japë udhëzime ose të bëjë gjeste, që në fakt nuk patën aspak dobi për ekipin. Në fushën e lojës ishin 11 lojtarë të tjerë që po luftonin dhe urdhrat taktike i merrnin vetëm nga trajneri. Nuk po them që Kristiano bëri diçka të gabuar, por thjesht ishte pa vlerë në ato momente”, tha Murinjo.