Jose Murinjo mori zyrtarisht detyrën e trajnerit te Manchester United. Aventura te “Djajtë e Kuq” nisi me një shëtitje në ambientet e “Old Trafford”, ku zhvilloi edhe fotografitë zyrtare. Këtë herë tekniku luzitan shfaqi një imazh krejt ndryshe. Ai nuk i ofroi mediave asnjë titull bombastik për veten e tij. Megjithatë, nuk u fsheh rreth detyrës së re dhe atyre që janë prishmëritë.
“Nuk e di si mund të përkufizohem pas ‘Special One’ dhe ‘Happy One’. Vij në një klub, të cilin është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Nuk është puna e ëndrrave: ky është realiteti. Të gjithë do të donin të ishin në vendin tim. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe prishmëritë. Fillimisht duhet të kthehemi në Champions. Nëse do të isha realist do të thoja se synojmë të jemi mes katër të parëve, ndërsa nëse dua të jem më agresiv do të thoja se duam të fitojmë titullin. Natyrisht që objektivi ynë nuk mund të jetë vetëm vendi i katërt. Te Chelsea kalova një moment shumë të vështirë, dua ta rinis nga loja e bukur, në mënyrë që t’i bëjmë tifozët të këndojnë”, u shpreh Murinjo.
Në aventurën e re, Murinjo ndryshoi edhe sjelljen me kolegët, ku evitoi polemikat me Pep Guardiola-n. Megjithatë, ai nuk e humbi rastin të provokonte Arsene Wenger. “Nuk bëj krahasime me trajnerët e tjerë. Disa kanë 10 vjet që nuk fitojnë, disa të tjerë kanë fituar një vit më parë, ndërsa ka edhe nga ata që nuk kanë fituar asgjë. Nëse sfida e trajnerëve vlen në Spanjë apo Itali, në Angli gjërat ndryshojnë. Unë drejtoj Manchester United dhe i respektoj të gjithë klubet, të gjithë kundërshtarët dhe trajnerët”, tha ai.
Detyra e teknikut luzitan, që zëvendëson Louis van Gaal, nuk do të jetë aspak e lehtë. Murinjo ka detyrën të vazhdojë trashëgimninë e Sir Alex Ferguson, megjithatë i vetmi moment nervozizmi ishte kur duhej të komentonte zërat se luzitani ishte shkaktar i largimit të Ryan Giggs nga “Djajtë e Kuq”.
“Deri më tani Sir Alex më ka dhënë vetëm dy këshilla. Të marr çadër me vete në Manchester dhe markat më të mira të verave, që t’i pimë së bashku. Është një legjendë e klubit, opinioni i tij do të jetë shumë i rëndësishëm, por vendimet do t’i marrim unë me stafin tim. Përsa i takon Ryan Giggs, largimi i tij pas 29 vjetëve nuk erdhi për fajin tim. Ai kërkonte vetëm të ishte trajner i United, e pavarësisht se klubi i vendosi në dispozicion çdo lloj detyre, Giggs zgjodhi të largohej”, përfundoi Murinjo.