Murinjo snobon Pep

Zhoze Murinjo ka qenë një person i ftohtë, por me të mbërritur te Mançester Junajtid është bërë i “akullt”, sidomos në këto katër muajt e fundit, ku skuadra e tij ka ditur që të hapë një seri mjaft pozitive, prej 23 ndeshjesh radhazi pa njohur humbje në kampionat. Fatkeqësisht, dëmtimi i Ibrahimoviçit nuk duhej, sidomos përpara derbit me Sitin e Pep Guardiolës, por akoma më shumë në pritje të gjysmëfinaleve të Ligës së Europës. Por “Special One” nuk kërkon të qahet për asgjë, sepse ai ka mbërritur në “Old Trafford” me një objektiv të qartë në kokë: “Të ndërtojë bazat e së ardhmes së skuadrës”.
Nuk ka dyshime se, kualifikimi për në Champions është objektivi kryesor i “Djajve të kuq”, prandaj, edhe pse duke fituar derbin e natës së nesërme, ata mund të parakalojnë dhe t’i marrin “qytetarëve” vendin e katërt, Murinjo as që kërkon t’i shtojë presion vetes, por ia pason atë kundërshtarit të tij historik.
“Nuk më intereson se si do të përfundojë ky sezon i parë. Fitojmë ose jo tituj nuk është një domosdoshmëri. Unë ndiej se ky ka qenë një vit i rëndësishëm për mua, lojtarët dhe klubin, sepse po kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi për të ngritur sërish në elitë Junajtid. Mund të them se ky mund të jetë sezoni i parë i pesë, gjashtë apo shtatë viteve të ardhshme të suksesshme, ndonëse është po kaq e qartë se kemi kohë dhe mundësi që t’i japim një kthesë të bukur dhe të rëndësishme pjesës së mbetur të këtij viti futbollistik.
Cili do të ishte? Natyrisht, fitorja e Ligës së Europës, një turne, i cili më pas do të na lejonte që të përballeshim me fituesen e Champions-it për Superkupën e Europës. Diçka e bukur apo jo?!”.
Murinjo ka fituar tituj në Portugali, Spanjë, Angli dhe Itali, por ai kërkon që të përsëritet edhe në “Old Trafford”. Tri vitet e tij në Spanjë e vunë përballë Pep Guardiolës, me të cilin do të rindeshet përsëri, një duel i cili e ka parë fitues luzitanin të një Kupe Mbreti dhe një kampionati, të vetmit trofe në Spanjë përballë një Barcelone që dominonte prej shumë vitesh. Prandaj, ai e sheh eksperiencën te “Djajtë e kuq” si shumë të ngjashme me vitet e tij te Reali i Madridit.
“Po, mund të them se Junajtid dhe Reali im ngjajnë shumë mes tyre, dy gjigantë në periudha të vështira. Është normale që kur shkon në një klub të madh ndien menjëherë dimensionin e tij, presionin dhe pritshmëritë. Por ndien gjithashtu se skuadra nuk është gati, prandaj duhet të punosh që t’i arrish. Kjo do të thotë se duhet të luftosh më shumë çdo ditë dhe ne jemi gati që ta bëjmë këtë. Dopiosfidë me Sitin dhe Guardiolën? Jo. Unë po them se ne nuk jemi gati, ndërsa Siti jo vetëm që është i detyruar të fitojë, por për ata do të ishte një dështim nëse dalin jashtë katër të parave dhe siç duket do e mbyllin sezonin pa asnjë trofe. Prandaj, presioni i këtij derbi është mbi ata, jo mbi Junajtid”, përfundoi Murinjo.

Artikulli paraprakMurinjo-Konte, “luftë” për shërbimet e Alvaro Moratës
Artikulli tjetërJa sa përfitojnë Gashi e Hyka në MLS