Murrizi: Janë dhënë dhe lopë për të blerë vota

Fenomeni i blerjes së votave duket se ka qenë i shtrirë në të gjithë vendin, ndoshta më i rëndi që nga viti 1997, kur bandat i kërcënonin me kallash në kokë zgjedhësit përpara kutive të votimit. Duket se ka qenë një manipulim i nisur kohë më parë, përgjatë kohës kur Partia Demokratike ishte fokusuar tek protesta e saj 90-ditore. Në atë kohë mendohet të jenë dhënë para të tjera me premtimin e pjesëmarrjes masive pa opozitën. Në këto kushte zgjedhësit e kishin ndarë mendjen që do të paraqiteshin në kutinë e votimit, ku do të merrnin dhe paratë e tjera. Në atë kohë mendohet të jenë dhënë nga 10 mijë lekë të reja për çdo votë, ndërkohë që pazari është rritur ose ka mbetur i njëjtë në këto zgjedhje.

Lushnja

Kandidati i Partisë Demokratike për Fierin, Myslim Murrizi, ka treguar për gazetën “RD” se ky fenomen është hasur kryesisht në zonat rurale të qytetit të Lushnjës. “Paratë janë dhënë që gjatë kohës që Partia Demokratike ka qenë duke protestuar në çadër, atëherë janë dhënë një pjesë e tyre, por me qëllim që të marrin pjesë në zgjedhje dhe pa qenë opozita, kështu që një pjesë e mirë e elektoratit e kish ndarë mendjen dhe priste këstin e dytë, atë të ditës së zgjedhjeve”, rrëfen ai. Madje sipas Murrizit, në jo pak raste dhe sherri mes militantëve të PS-së dhe atyre të LSI-së vinte pikërisht për ndarjen e zonave të influencës. “Familjet rome paguheshin me 2 mijë lekë të reja, ndërsa të tjerët varionte, 10 mijë lekë, 100 euro për votë, madje dhe deri në lopë u kanë dhënë familjeve fshatare më shumë votues”, është shprehur Murrizi. Sipas tij në shumë raste blerësit e votave janë ndihmuar dhe nga policia, e cila në rastin më të mirë ka bërë sikur s’i ka parë lëvizjet e tyre natën dhe në rastin më të keq i ka shoqëruar vetë derë më derë sipas listës së adresave që u ishte dhënë. Blerja e votave bëhej natën, shtëpi më shtëpi dhe sekserët prisnin orën 11.30 për ta kryer.

Policia

Situata duket se është dëshpëruese dhe vullneti është deformuar keqas. Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj i ka pasur duart e lidhura, pasi s’kishte në dorë zëvendësimin e shefave të komisariateve të rretheve që ishin atribut i Haki Çakos, një shërbëtor i bindur i Edi Ramës. Demiraj në disa raste, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, është detyruar të dalë vetë në terren dhe ta ndalojë fenomenin e shitblerjes së votave atje ku e ka pikasur, por e shtrirë në të gjithë Shqipërinë kjo është e pamundur. Targeti i blerësve të votës kanë qenë pikërisht zonat e varfra të vendit, aty ku paraja e paguar nën dorë është më e lehtë për t’u shndërruar në votë, por duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend ku shumica e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë, atëherë merret me mend se sa shtrirje ka pasur ky fenomen. Dita-ditës raste të shitjes masive të votës janë raportuar nga i gjithë vendi. Rezultatet e kutive të votimit kanë hedhur poshtë çdo teori matematike. Një qeveri që në katër vjet nuk bëri asgjë dhe në fushatë nuk premtoi asgjë paprimtas zgjohet me një rezultat që dhe mendja më e çmendur s’do e kishte parashikuar. Ka ndodhur ajo që pritej dhe që opozita e kish paralajmëruar me kohë. Fenomeni i Dibrës u shtri në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka se si shpjegohet që të gjitha partitë e pushtetit pësuan rritje, ndërsa e vetmja që shënoi ulje ishte opozita. Le të marrim një rast. Çfarë ka bërë fjala vjen Shpëtim Idrizi, që nga 40 mijë vota që mori atëherë në koalicion me PD-në të shkojë në 84 mijë vota, kur kjo parti nuk siguronte dot e vetme as 6 mijë në rang vendi? Në Dibër Ymer Lala, që kandidonte të bijën, ishte një ndër përgjegjësit kryesorë të manipulimit. Aqif Rakipi në Elbasan po ashtu, Tom Doshi në Shkodër që enkas u fut nën siglën e PSD iu la dorë e lirë të blinte vota e kështu me radhë. PS bashkë me ata që e ndihmuan në këtë maskaradë kanë kryer një krim të madh elektoral. Nuk kanë asgjë më pak se Frroku apo Ndoka që u lanë jashtë për shkak të dekriminalizimit. Shembulli i tyre vazhdon të ndiqet tashmë nga Kryeministri.

Rama nuk guxon të bëjnë euforikun, anulon festimet masive

Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë guxuar të festojnë. Mesa shihet ata e dinë fare mirë se çfarë ka ndodhur. Edi Rama dje paralajmëroi një festë në Sheshin Skënderbej ku do mbaheshin fjalime dhe më pas e anuloi me një njoftim të dytë, doli dhe mbajti vetëm ai një fjalim. Atëherë përse ndodhet në këto pozita Partia Socialiste? Burime nga kjo forcë politike bëjnë me dije se Rama jo më kot i ka porositur të tijtë që të mos shfaqin euforizëm me qëllim që të minimizojnë euforinë. Në fakt duket se dhe vetë PS-ja ka blerë mandate shumë më tepër se i duhen. Ramës i duheshin diku tek 68-69 deputetë, aq sa mund të bënte një koalicion me Idrizin dhe me ndonjë tjetër që do i bashkohej rrugës. Ose rreth 640 mijë vota me këtë përqindje, që të kishte si të justifikonte dhe rënien. Por Rama ka një rritje me më shumë se 80 mijë vota në krahasim me vitin 2013 kur ishte në kulmet e tij, ndërkohë që përqindja e pjesëmarrësve në votime ka rënë. Objektivi i tij ishte të shmangte Ilir Metën nga qeverisja dhe këtë ja kishte arritur. Por me këtë rezultat ai s’mund ta fshehë blerjen e votave dhe katrahurën që ka ndodhur. Dhe tashmë ka vendosur që mos tregohet euforik me shpresën se kjo çështje mund të kalojë në heshtje. Por një ngjarje e tillë është një atentat që me vetëdije i është bërë demokracisë dhe rastet do të dokumentohen njëri pas tjetrit. Në vitin 2017 askush s’mund të bëjë një masakër të tillë elektorale dhe Rama s’mund ta fshehë as me modesti, dhe as me makiazhe elektorale. OSBE e dha sinjalin e parë, dhe opozita deri më tani ka lënë ndërkombëtarët të flasin, por beteja ende s’ka mbaruar.

Fitim Zekthi: Zgjedhjet u blenë masivisht

Fitim Zekthi, kandidati i Partisë Demokratike, i cili renditej i gjashti në Qarkun e Elbasanit ka analizuar përmes rrjeteve sociale arsyet e humbjes. Zekthi shkruan se ata që kanë votuar PS, LSI dhe PDIU kanë marrë para dhe se votuesit e PD janë ndërgjegjja morale e popullit. Sipas Zekthit, Basha mund të ketë shumë faje dhe njerëz me inate personale, por arsyet e humbjes sipas tij e tejkalojnë Bashën. “Ka nisur një garë e ethshme për të gjetur shkaqet e humbjes së PD që nga fajësimi i Bashës për listën e kandidatëve, për marrëveshjen me Ramën, për dobësinë e tij si lider politik e deri tek glorifikimi i Ramës. Nuk e di ç’qëndrim do të mbajë PD, por sa më takon mua dua të them se Shqipëria ka hyrë në një krizë të pashembullt, ka hyrë në krizën e mospranimit të krizës, e moskuptimit apo mosdashjes së kuptimit të krizës. Zgjedhjet u blenë masivisht dhe kjo blerje po legjitimohet duke mos u parë me lebeti si fundi i gropës ku jemi, por si rast për të justifikuar fitoren apo larë hesape. Po flas për zonën ku isha në fushatë vetë: në asnjë fshat kandidati i PS M. Ulqini nuk zhvilloi dot një takim, sepse njerëzit e përzinin me zemëratë për gënjeshtrat që u kishte bërë për paratë e pamarra prej 3 vitesh të duhanit, për mungesën e ujit të pijshëm, për varfërinë e madhe etj. Takimet që pata ishin shfryrje inati ndaj kryeministrit Rama që të gjitha. Gjatë fushatës njerëzit e PS lëviznin vetëm natën dhe shkonin nëpër shtëpi. Rezultati ishte shokues: në qendrën e votimit Marinëz, ku PD ka fituar edhe më 2013 pas 8 vitesh pushtet, një qendër fuqimisht e djathtë PS u dyfishua dhe PD u ul duke humbur thellë. Në qendrën Trojas, më e djathta në gjithë Dumrenë, ku unë jam lindur dhe rritur, ku PD ka fituar edhe më 1997 jo më në zgjedhje të tjera, PD humbi për herë të parë. Në qendrën Lisaj, fshati më i thellë i Dumresë, fshat pa rrugë, pa ujë, ku njerëzit nuk kanë marrë paratë e duhanit të shitur, fshat ku pata një takim dy orësh, ku ata shprehën gjithë vrerin kundër Ramës dhe Ulqinit, PD mori 6 vota. Ajo nuk mori as votat e komisionerëve dhe vëzhguesve të saj. Thuajse në çdo qendër është e njëjta gjë, unë nuk po i përmend me radhë. Në Belsh gjithkush e di ç’ka ndodhur, siç e dinë në Cërrik dhe fshatrat përreth sepse e kanë parë dhe jetuar. PS, LSI dhe PDIU kanë blerë vota. Jemi në një gjendje të mjerë: një pjesë shumë e madhe duan para, pra te vetë njerëzit ka hyrë fort kjo kulturë e shitjes. Mua vetë më kërkuan para. Njerëz që i njoh me vite më thoshin: Fitim, ti e di ne jemi djathtas, por ata po marrin lekë, po japin lekë, do të na jepni gjë? Është e tmerrshme, por e vërtetë. Për mua rezultati i marrë nga PD përballë lekëve të PS, atyre të LSI dhe PDIU është gjigant. Votuesi i PD është ndërgjegjja morale e jona si popull ndonëse pakicë. Halli i vendit është shumë i madh dhe nuk e di ç’mund të bëhet për të dalë nga ky hall. Basha mund të ketë faje sa të duash apo mund të ketë njerëz me inate personale pa fund ndaj tij, por zgjedhjet u humbën për arsye që e tejkalojnë Bashën. Është e pandershme gjithë ajo që po ndodh duke u turrur kundër Bashës dhe lënë anash shitjen, blerjen dhe gjithë trukimin e neveritshëm. Do Zoti gjenden njerëz dhe arsye për t’u marrë me këtë mënxyrë para të cilës fati politik i kujtdo është fare pa vlerë, qoftë ky edhe i Bashës. Nuk është Basha problemi dhe nuk e ka ai fajin për këtë blerje të organizuar në mënyrë kirurgjikale qendër për qendër votimi. Ai nuk kishte shanse ta ndalte këtë gjë. Për të tjera çështje është muhabet tjetër”.

Artikulli paraprakMedia zvicerane: Rama, mbreti i drogës e lidhjeve politikë-krim
Artikulli tjetërPjesëmarrja në zgjedhje, 160 mijë votues më pak se në vitin 2013