Mushkonjat pushtuan stadiumin në “Volgograd Arena”

Mizat dhe mushkonjat janë bërë protagoniste në stadium “Volgograd Arena”, ku u zhvillua sfida e fundit e të hënës, mes Anglisë dhe Tunizisë, që u fitua nga “tre luanët” me rezultatin 2-1.
Ato pushtuan stadiumin dhe bezdisën shumë lojtarët e të dyja skuadrave, ndërkohë që kishin dalë për të kryer nxehjen e zakonshme, rreth një orë para ndeshjes. E njëjta situatë vijoi edhe gjatë lojës, ndërsa mushkonjat dalloheshin me sy të lirë edhe gjatë transmetimit televiziv të takimit.
Autoritetet ruse e kishin të qartë se ky fenomen mund të shqetësonte në Volgograd, ndaj kishin bërë spërkatjen në kënetat rreth e qark, dy ditë para sfidës.
Gjithashtu para sfidës u vendos që asnjë tifoz të mos merrte pije dhe ushqim me vete në shkallët e stadiumit, pasi mund të provokonte grumbullimin e mushkonjave.
Harry Kane ka shpëtuar Anglinë nga befasia e radhës në Botërorin Rusi 2018.
Sulmuesi arriti të shënojë golin e dytë dhe të avantazhit për kombëtaren e tij në minutën e parë të shtesës, ndërsa deri në ato momente ndeshja ishte në barazim 1-1.
Anglia dominoi totalisht takimin, duke luajtur pjesën më të madhe të ndeshjes në zonën e Tunizisë. Edhe pse e gjeti golin e parë mjaft herët, që në minutën e 11 me sulmuesin kryesor Kane, anglezët vazhduan të sulmojnë, por u befasuan në minutën e 33 kur mbrojtësi tejet i vlerësuar Walker shkaktoi një penallti, të cilën e ktheu në gol Sassi.
Edhe në pjesën e dytë sulmet e anglezëve ishin të shumta, por deri në minutën e parë të shtesës nuk mundën të shënonin, kur sërish sulmuesi i Tottenham gjeti golin e dytë me kokë.
Tre pikë mjaft të rëndësishme për Anglinë, e cila ka në grup edhe Belgjikën e Panamanë.

Artikulli paraprakBrazili kërkon hetime: Tri pyetje publike për FIFA-n
Artikulli tjetërRusi 2018/ Shfaqen hijet e huliganizmit në Botëror