Mustafa: Kriza energjetike në prill, kërkesa për blerje më 19 qershor

Armand MAHO

Vendi rrezikon të hyjë në një nga krizat më të mëdha që ka njohur vendi dhe kjo për shkak të indiferencës së qeverisë. Kaskada e Fierzës është në nivelet më të ulta, ndërkohë që kjo është konstatuar që në muajin prill dhe blerja e energjisë nuk është realizuar në kohë. Ministria e Energjetikës, dje ka dalë sërish duke tentuar ta drejtojë gishtin nga ish-drejtori Teknik i OSHEE Haki Mustafa, duke e akuzuar se nuk ka kryer blerjen e energjisë në kohë. Në fakt e vërteta është krejt ndryshe. Haki Mustafa e ka pasur të ndaluar me vendim të Ramës kryerjen e tenderave gjatë fushatës, por megjithatë ska qenë vetëm kjo arsyeja. Arsyeja e vërtetë ka qenë se blerja e energjisë nuk u krye as gjatë muajit prill dhe as gjatë muajit maj.

Tenderi

Haki Mustafa  thotë në një prononcim për “RD” se, gjithçka pretendon Ministria e Energjetikës nuk është gjë tjetër vetëm se një shpifje e gatuar në paradhomat e qeverisë për të mbuluar dështimin në menaxhimin e krizës.  Në fakt sipas Mustafës, kërkesa për blerje energjie i ka ardhur nga Oparatori i Sistemit të Transmetimit vetëm më datë 19 qershor. “Me të marrë kërkesën, po atë ditë ne i dërguam një shkresë  Ministrisë së Energjetikës dhe Kryeministrit, ku i kërkonim miratimin për blerjen e energjisë nga ana e institucionit tonë. Përgjigja na ka ardhur për miratim më datë 21 qershor, dhe ne kemi zhvilluar tenderin në kohë rekord. Pra, pas marrjes së përgjigjes, kemi përgatitur dokumentacionin më datë 23 kemi shpallur tenderin dhe me datë 24 kemi shpallur fituesin. Kjo ishte ajo çka ne mund të bënim, në kushtet kur vetë kryeministri kishte bllokuar me Vendim të Këshillit të Ministrave çdo lloj tenderimi për ministrat e emëruar sipas marrëveshjes”, thotë Mustafa. “Ne nuk kemi pasur informacion as nga KESH për situatën e krijuar, dhe skemi bllokuar asnjë lloj blerjeje nga ana e tij, madje do ishim të lehtësuar. Kjo sepse në rast se e blen KESH energjinë në tregun ndërkombëtar, atëherë ne e blejmë me çmimin e zakonshëm të prodhimit vendas. Ndërsa në tregun ndërkombëtar  ky çmim është disa herë më i lartë. Pra për financat e OSHEE kjo do ishte mjaft e shëndetshme. Por KESH që përgjigjet për kaskadat nuk na dha as informacion për gjendjen e kaskadave, dhe nuk na ka bërë asnjë kërkesë për blerje energjie. Siç ju thashë kërkesa për blerje ka ardhur vetëm më datë 19 qershor, dhe brenda pesë ditëve ne kemi organizuar tenderimin kaq”, thotë  ish-drejtori i OSHEE.

Niveli

Por duket se në gjithë këtë tymnajë që ka ngritur Ministria e Energjetikës dhe qeveria ka diçka që nuk shkon. Ministria e Energjetikës njofton se rënia e nivelit të Fierzës,  është evidentuar që në muajin prill. Në fund të këtij viti, niveli i Fierzës ishte 16 metra më i ulët se viti paraardhës, dhe më i ulti i pesë viteve të fundit. Megjithatë KESH ka vazhduar të zbrazë ujin e kasakadës. Haki Mustafa e ka marrë emërimin më datë 2 qershor, ndërsa punën e ka filluar më datë 6 qershor. Ndërsa më datë 28 është shkarkuar. Pra, efektivisht në punë ka qenë vetëm 22 ditë, ndërsa problemi është evidentuar shumë më herët. OSHEE nuk ka blerë energji as në muajin prill, kur duhej së paku të fillonte proçedurat, dhe as përgjatë gjithë muajit maj. Kjo situatë nuk është raportuar as përgjatë 13 ditëve që ishte në detyrë Haki Mustafa, dhe OST është kujtuar vetëm më datë 19 kur rëniet ishin alarmante t’i bënte kërkesë OSHEE për blerje energjie. Nga ana e tij, Haki Mustafa i kishte duart e lidhura, pasi nuk mund të zhvillonte asnjë tender sipas VKM përgjatë kohës së fushatës. Haki Mustafa është shkarkuar më datë 28 qershor dhe  ka ndejtur në detyrë 22 ditë, ndërsa problemi është evidentuar kohë më parë.

Rama i papërgatitur për fitoren, tentoi ta fusë Shqipërinë në krizë energjetike

Ndoshta jemi përpara një skenari ogurzi, të përgatitur nga Edi Rama dhe lakejtë e tij. Ata shihet qartë se nuk e kanë ditur se çfarë do të ndodhte pas zgjedhjeve, dhe skanë qenë të sigurt nëse do të ishin në qeveri pas 25 qershorit, dhe duket se qëllimisht kanë realizuar një skenar, krize në një nga sektorët më të ndjeshëm atë të energjisë. Masat mund të ishin marrë prej kohësh, dhe KESH kishte detyrimin që t’i paraprinte kësaj situtate, por për arsye që nuk dihen nuk ka vepruar. Në fakt, muaji prill është ai kur shikohen nivelet e liqeneve dhe vendoset për sasinë që do të importohet gjatë muajve të verës. Por kjo nuk është bërë, nuk është bërë asnjë muaj më pas në muajin maj, megjithëse kaskada vazhdonte të zbrazej, dhe të gjithë ne po përjetonim një realitet që ishte i gënjeshtërt. Të gjithë këtë skenar duket se do ta vuajmë muajve të verës. Kapriçot e Edi Ramës dhe ministrave të tij, duket se do na fusin në një sezon turistik aspak normal. Energjia ka filluar të mungojë që tani në gjithë bregdetin e jugut,  por edhe atë të Adriatikut. Nuk dihet se si do i dalë fundi, por fakt është se dëmi është i madh. Tashmë OSHEE është e detyruar të blejë energji në momentin e fundit dhe çmimi është disa herë më i lartë se po ta kontraktonte dy muaj më parë, dhe kjo bie në kurriz të të gjithëve ne.

Niveli i Fierzës në kutoat më të ulta, shkon në 270 metra

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i basenit të liqenit ka zbritur në 270 m, ndërsa prurjet janë tejet të ulëta. Sqarohet se aktualisht KESH prodhon energji për nevojat e OSHEE vetëm duke shfrytëzuar sasinë e prurjeve natyrale për të mos ulur më shumë nivelin e kaskadës së Drinit.  Për shkak të rritjes së konsumit, OSHEE është detyruar që të shtojë sasinë e importit të energjisë. Përtej sasisë së kontraktuar në fund të periudhës së drejtimit nga administratori teknik, së fundmi OSHEE ka hapur procedurën edhe për një sasi shtesë të energjisë nga importi për muajin korrik në masën 112 000 Mwh. Kryerja e importeve në kushtet e thatësirës së tejzgjatur dhe nivelit të ulët të kaskadës që pamundëson mbulimin e ngarkesës së pikut, bën që edhe çmimet e importit të jenë më të larta. Korporata Elektroenergjetike mund të lehtësonte në zgjidhjen e situatës, duke përdorur fondin prej 22.4 milionë eurosh që e ka në dispozicion në kuadër të Projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjetike, por as këtë nuk e ka bërë.  Por ky fond i parashikuar posaçërisht për import energjie nga KESH-i në kushtet e krizave me thatësirë të zgjatur mund të çlirohet vetëm pas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Deri sa ky vendim të mund të miratohet, OSHEE do të përdorë fondet e veta për të garantuar blerjen e energjisë dhe stabilitetin e furnizimit të konsumatorëve.

Mandija: VKM për blerjen e energjisë me mangësi

Por ndërkohë kakofonia mediatike që shpërndahet nga zyrat e Kryeministrit vazhdon të kërkojë fajtorin atje ku nuk është, për shembull dje u shpërnda një lajm në mediat e kontrolluara prej tij, të cilat po investohen me sa mundnin për ta nxjerrë të larë nga kjo histori, se fajin për mosblerjen e energjisë dhe KESH që kontrollohet nga qeveria e kanë ministrat teknikë që nuk kanë miratuar një VKM për këtë çështje. Në fakt për këtë çështje ka reaguar zëvendësministrja Ledina Mandija, e cila sqaron se nga 7 ministrat e propozuar nga opozita, vetëm katër prej tyre skanë qenë dakort me vendimin e kryeministrit, dhe kjo për shkak se kishte ardhur i pa relatuar, dhe nuk ishte marrë mendimi paraprak nga ministri i Drejtësisë. Duhet theksuar se VKM do prekte huanë e dhënë nga Banka Botërore, në një shumë prej 22 milionë eurosh që ka të bëjë me rimëkëmbjen e energjisë. “Duke marrë shkas nga një kronikë e transmetuar në median elektronike sipas së cilës ministrat “teknikë” kanë penguar blerjen e energjisë elektrike, duke rrezikuar mosfurnizimin e vendit me energji elektrike, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik për sa më poshtë: Ministrat të ashtuquajtur “teknikë”, të cilët nuk kanë pranuar të miratojnë vendimin në fjalë të Këshillit të Ministrave janë 4 nga 7 të tillë dhe kanë vepruar në mënyrë të tillë në bazë të vlerësimit individual që kanë bërë për këtë VKM, duke marrë në konsideratë dhe faktin që për VKM në fjalë nuk ishte marrë mendimi paraprak i detyruar nga ministri i Drejtësisë referuar nenit 24 të Ligjit 9000/2003 dhe mendimi paraprak i ministrit të Financave për shkak të prekjes së shumës së huasë së dhënë nga Banka Botërore. Sqarojmë se, nuk ka pasur vendimmarrje të përbashkët mes ministrave “teknikë”.  Këshilli i Ministrave miraton vendimet me shumicë të thjeshtë. Konkretisht, neni 20 i Ligjit 9000/2003 “Për organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave” parashikon se “Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, me votim të hapur”. Rrjedhimisht, mosmiratimi i vendimit nga një pjesë apo qoftë edhe të gjithë ministrat “teknikë” nuk përbën pengesë për miratimin e këtij vendimi nga pjesa tjetër e ministrave që përbëjnë shumicën në Këshillin e Ministrave. Gjithsesi ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinionin publik për arsyet e mosmiratimit nga 4 ministrat “teknikë” në fjalë. Procedura për miratimin e VKM-së ishte jo transparente. Fillimisht VKM u dërgua për miratim pa relacion shpjegues. Pas kërkimit të relacionit në fjalë, ky u dërgua më vonë, por ishte tërësisht i paqartë në përmbajtje. Konkretisht, nuk kishte analizë të detajuar se përse ishin shteruar rezervat ujore në kaskadë çka diktonte gjendjen emergjente për prekjen e huasë së Bankës Botërore qëllimi parësor i së cilës është rimëkëmbja e sistemit energjetik shqiptar. OSHEE në muajin maj 2017 duhej të kishte tenderuar energjinë elektrike për muajin pasardhës qershor 2017, çka nuk e ka bërë. Rrjedhimisht, mungesa në treg e energjisë së tenderuar është plotësuar nga KESH nëpërmjet shfrytëzimit rezervave ujore në kaskadë, përveç faktit që KESH gjithashtu eksportonte energji, duke konsumuar edhe më shumë këto rezerva. Rrjedhimisht, bie poshtë argumenti se KESH ishte në kushte ku nuk mund të prodhonte energji për shkak të nivelit të ulët të rezervave ujore në rezervuar. Pra, lajmi i transmetuar se ministrat “teknikë” janë bërë pengesë për furnizim me energji, çka ka detyruar qeverinë sot për ta blerë atë me kosto të lartë nuk është i vërtetë. Zyra e zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, gjatë kësaj periudhe garanton miratimin e çdo projektvendimi të Këshillit të Ministrave që është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin”, thuhet në deklaratën e nxjerrë nga zyra e zëvëndëskryeministres Mandija.

Artikulli paraprakMaskarada Rama-Veliaj me parkun e fëmijëve
Artikulli tjetërJa dokumenti i planit rregullues, Basha ndaloi ndërtimin te parku