Mustafa kundër Thaçit: Retorikë shterpë, por e papërgjegjshme dhe e rrezikshme

 

Jo Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një retorikë shterpe, ndonëse e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Mustafa thotë se rihapja e çështjes së Kosovës është e barabartë me rihapjen e pavarësisë. Sipas tij, këtë nuk ka të drejtë ta bëjë askush dhe se me Serbinë na nevojitet marrëveshje për njohje reciproke, në kufijtë në të cilët Kosova ka shpallur pavarësinë dhe është njohur ndërkombëtarisht.
“Nevojitet normalizim i marrëdhënieve dhe fqinjësi e mirë”, deklaroi Mustafa. Ai thotë se as presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e as kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt, nuk u besohet.
“Është një retorikë shterpe, por e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë, e tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por të gjithë qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Koha.net.
Vetëm edhe tri nënshkrime i duhen LDK-së që ta dërgojë presidentin Hashim Thaçi në kushtetuese, për deklaratat e tij të ditëve

të fundit, për të cilat kjo parti do të kërkojë interpretim nga Gjykata.
Për këtë LDK-ja ka vendosur në takimin e saj të fundit me strukturat e saj, raporton KTV.
Deputetja Vjosa Osmani ka thënë se presidenti po vazhdon çdo ditë me shkelje të njëjta, prandaj një interpretim i kushtetueses është i domosdoshëm.
Osmani ka folur edhe për deklaratat e presidentit për referendumin, duke thënë se ai po tenton ta keqpërdorë këtë çështje për ta legjitimuar vetveten për një kompetencë që nuk e ka.
Vetë presidenti në konferencën e fundit për media ka thënë se kushtetuta mund të ndryshohet meqë tri herë që nga pavarësia ka ndryshuar.
Ai ka treguar madje se janë në përgatitje të pyetjes për qytetarët nëse janë për apo kundër të bashkimit të Luginës me Kosovën.
Por deputetja Osmani thotë se Presidenti nuk mund të pyetet për referendumin.
Shefi i deputetëve të Nismës, Bilall Sherifi ka thënë se referendumi nuk mund të thirret për çështjet që janë jashtë kushtetutës, por thotë se me referendum mund ta ndryshojnë kushtetutën.
Presidenti ka paralajmëruar se përmes referendumit do të pyesin popullin jo vetëm për bashkim me Luginën, por edhe për dialogun, e krijimin e ushtrisë.

Exit mobile version