Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se qeveria është duke e mbajtur premtimin për zhvillim ekonomik. Duke folur për aprovimin e Ligjit për Trepçën, Investimet Strategjike, si dhe Ligjin për Veteranët, kreu i ekzekutivit, përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se së shpejti do të fillojnë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej një miliard euro. “Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitorë për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe Axhendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre”, ka shkruar ndër të tjera Mustafa. “Qeveria po e mban premtimin për zhvillim ekonomik. Dy vite të këtij mandati i shënuam me rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike, me ulje të papunësisë së përgjithshme, me fuqizim të sektorit privat të ekonomisë. Aprovuam Ligjin për Trepçën, Ligjin për Investime Strategjike, e kaluam fazën e parë të reformave fiskale dhe po e përmbyllim shumë shpejtë fazën e dytë të këtyre reformave. Siguruam ndryshimet e Ligjit për Veteranët dhe plotësuam kërkesat për vazhdim në programin e FMN-së. Shpejt do të fillojmë me operacionalizimin e investimit në TC Kosova e Re, prej rreth një miliard euro. Do të gjejmë edhe investitor për Brezovicën. Po e zbatojmë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe Axhendën e Reformave Evropiane. Të gjithë, me përgjegjësi, po e bëjnë punën e tyre. E gjithë kjo siguron një rritje të fuqishme ekonomike sidomos në vitet në vijim. Duhet t’u gëzohemi sukseseve tona, por të synojmë edhe më shumë”.