Ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, duke komentuar aksionin e fundit të Opozitës, tha nga studio e ‘News 24’ se protestat e opozitës po tregojnë se zemërimi është i madh dhe pakënaqësia e përgjithshme.
‘Protesta e fundit, në ditë shiu, 24 orë pas protestës tjetër tregoi se pakënaqësia është e madhe dhe vendosmëria është gjithashtu e madhe. Protesta ka dhënë prova se është rezistente. A do të ketë përshkallëzim, sigurisht që do ketë nëse nuk merr një zgjidhje. Zgjidhja është dialogu.
Unë jam i bindur se dialogu do të vijë por sa më larg të jetë aq më i madh është dëmi për vendin. Në qoftë se deri në 30 qershor nuk ka një zgjidhje, atëherë do ketë një radikalizim shumë të madh. Unë parashikoj përshkallëzim dhe dialog në pikë të fundit”, tha Mustafaj.
Mustafaj foli për një raport të ministrave të djathtë të vendosur në qeverinë teknike në 2017, ku janë nxjerrë në pah problemet me zgjedhjet por që nuk janë marrë parasysh.
“Opozita e ka vënë si kusht largimin e Ramës nga ekzekutivi. Opozita ka një eksperiencë, zgjedhjet e 2017 ku ministrat demokratë që hynë aty prodhuan një raport mbi 400 faqe që nxjerr në pah problematikat që konstatonin për zgjedhjet por që qeveria nuk i merr parasysh sepse kryeministër është Rama.
Supozohet që me një kryeministër të pavarur, këto problematika do të merren në konsideratë dhe do veprohet për zgjidhjen e tyre në dinamikë. Edhe opozita rrallë e përmend këtë raport”, tha Mustafaj.