Myler kundër Vidal

Tomas Myler u aktivizua nga minuta e parë në duelin e së mërkurës, por nuk arriti të zëvendësonte si duhet të dëmtuarin Robert Levandovski. Gjithsesi, gjermani e ka një “alibi” për humbjen ndaj Real Madridit dhe e lidh pikërisht me penalltinë që humbi Arturo Vidal. Më tej, sulmuesi beson se janë ende në garë për kualifikimin dhe duhet të ndihen të kënaqur që përfundoi vetëm 1-2…
“Mendoj se ndeshja mund të ishte mbyllur që në pjesën e parë. Nëse Arturo Vidal do të kishte arritur të shënonte me penallti dhe takimi do të kishte shkuar me rezultatin 2-0, do të ishim duke folur për një tjetër fund tashmë. Do të kishin ndryshuar shumë elementë, sidomos administrimi i lojës në pjesën e dytë”, u shpreh Myler.
Ai pranoi se Bayerni zhvilloi një ndeshje të dobët. “Së pari, më duhet të pranoj që nuk ishim mjaftueshëm të freskët fizikisht në krahasim me kundërshtarin tonë. Ky është një faktor që ndikon në takime të tillë. Ajo që e vuri më tepër në pah, ishte momenti kur mbetëm me një futbollist më pak. Në ato kushte ishte shumë e vështirë që të kontrollonim lojën dhe për këtë arsye, Reali arriti të ishte superior dhe të krijonte më tepër raste shënimi. Duhet të jemi të kënaqur që ndeshja përfundoi vetëm 1-2, pasi mund të ishte mbyllur edhe më keq. Ky rezultat na jep besim se gjithçka është e hapur. Pa diskutim që vështirësia është e lartë, por në ‘Santiago Bernabeu’ mund të ndodhë gjithçka”, përfundoi Myler.
Ndeshja filloi me Realin në sulm, që iu afrua shumë golit me anë të Benzema, i cili goditi traversën. Por pak minuta më vonë, Vidal nuk fali para portës duke shënuar me kokë pas një goditje nga këndi për t’u dhënë avantazhin vendasve. Këta të fundit krijuan edhe raste të tjera shënimi dhe ishin më afër golit të dytë, përsëri me Vidal, por ky i fundit shpërdoroi një penallti para mbylljes së pjesës së parë duke i hequr mundësinë ekipit të tij të shkonte më i qetë në pushimin e ndeshjes.
Gabimi i kilianit nga pika e bardhë u ndëshkua shumë shpejt nga Ronaldo, i cili kishte 659 minuta pa realizuar në Ligën e Kampionëve. Portugezi nuk shpërdori harkimin perfekt në qendër të Karvahal për të barazuar shifrat dhe për të zgjuar ekipin e tij që filloi të shihte gjithnjë e më shumë drejt sulmit.
Madrilenëve një dorë ua dha edhe Havi Martinez, i cili u ndëshkua dy herë me të verdhë brenda tri minutave për të lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Në inferioritet numerik, Bayerni përballoi me vështirësi sulmet e Realit që u bë padron në fushën e lojës. Ronaldo e Benzema shpërdoruan shumë raste para portës kundërshtare duke detyruar shpeshherë Nojerin të bënte mrekulli.
Por as portieri gjerman nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 77 të ndeshjes kur Ronaldo dërgoi topin në rrjetë për të dytën herë, duke shkruar emrin e tij në historinë e futbollit europian me golin e 100-të në karrierë. Pavarësisht dominimit spanjoll në minutat e mbetura, shifrat nuk do të ndryshonin më deri në vërshëllimën përfundimtare, duke i dhënë madrilenëve një avantazh shumë të rëndësishëm për kalimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Artikulli paraprakRekordi i ri i Ronaldos, 100 gola në Europë
Artikulli tjetërAnçeloti: “Jemi ende gjallë”!