Myrto Uzuni: Ju tregoj momentin kyç të karrierës, si Ronaldo më dha fanellën kur kuptoi se e kisha idhull

Myrto Uzuni ka rrëfyer në Amerikë ku po luan me Ostin, një nga momentet më kulminante të karrierës së tij. Bëhet fjalë për fitoren e parë historike në Europë për Laçin, që në verën e vitit 2018 skualifikoi qipriotët e Anorthosis Famagustas. Ai ka treguar në vija të përgjitshme se si ka shkuar karriera e tij dhe eksperienca e re me Ostin në SHBA.

 

Na thuaj pak ku je rritur, si është në Shqipëri dhe si arrite të luaje futboll?

Jam krenar që jam shqiptar! Fëmijëria ime nuk ka qenë ajo më e mira, sepse nuk mbaj mend shumë momente të bukura. Kemi emigruar në Greqi, duke ecur në mal për tri ditë dhe, në atë kohë, futbolli ishte në plan të dytë.

Pse shkuat në Greqi?

Për një jetë më të mire, sepse në atë kohë Shqipëria nuk kishte shumë opsione, jashtë Europës dhe shumë vështirësi. Kështu ka qenë fëmijëria ime.

Sa vjeç keni qenë?

Pothuajse 10. Ishte shumë e vështirë, sepse në Greqi duhet të punonim të gjithë, në punë të ndryshme. Punë emigrantësh, nuk dua t’i përmend këtu. Ishim pa dokumente dhe kishim qira për të paguar.

Kur ka filluar të jetë futbolli një opsion për ty?

Kur punoja në një restorant. Aty ishte një trajner, me të cilin fola. Ata më kishin parë duke luajtur me disa djem në lagje. Pastaj erdhën skautë të Olimpiakosit që më vëzhgonin. Ata më ftuan për të qëndruar tre muaj në provë, por nuk kisha dokumente dhe u dogja. Më pas vendosëm që të ktheheshim në Shqipëri. Aty nuk punoja, por nisa të stërvitesha. Duhet të paguaja 12 euro në muaj për t’u stërvitur. Pagova vetëm muajin e pare, ndërsa të dytin nuk kisha të paguaja. Qaja në shtëpi dhe babi duhet të gjente një zgjidhje. Kur po luaja me të rinjtë, shënova tre gola, duke përmbysur rezultatin 2- 0 dhe pastaj ekipi i parë i Tomorit më mori, duke më dhënë edhe një pagesë 170 euro në muaj. Për mua ishte moment i madh, sepse 50 euro ishte qiraja e shtëpisë dhe ndihesha krenar. Aty nisa karrierën.

Më pas?

Shkova tek Apolonia në Fier. Ishte ekipi im i dytë dhe qëndrova për dy vite e gjysmë. Kisha disa oferta dhe presidenti nuk më shiste. Qëndrova dhe atë sezon shënova 25 gola. Aty erdhi një skuadër nga Superiorja si Laçi dhe paguan 27 mijë euro për kartonin tim.

Si dallove që u transferove jashtë?

Ne luajtëm në Ligën e Europës për herë të parë. Shkuam deri në “play-off”, nuk u futëm në grupe, por hera e parë për Laçin. Po vinin nga Lokomotiva e Zagrebit për të më parë. Ishim si klub i vogël dhe menduam se do humbisnim. Kjo ndeshje ishte 90% mbajta e topit për ta dhe vetëm 10% për ne. Nuk e mbanim topin aspak, skauti që kishte ardhur për mua ishte aty. Ishim në dhomën e zhveshjes dhe më thanë mua se, nëse është një lojtar që mund të na kualifikojë sot, je vetëm ti. Në minutën e 89-të, erdhi një kros dhe shënova me kokë, fituam 1-0. Ai ishte momenti i jetës sime. Kjo ndryshoi çdo gjë. Pas asaj ndeshjeje, Lokomotiva pagoi 350 mijë euro për të më blerë.

Vazhdimi si shkoi?

Nga ai moment po luaja mirë. Shënova në turet e Ligës së Kampioneve dhe shkova në Hungari te Ferencvarosh, ndërsa në grupe po luanim kundër Juventusit, që në atë vit ishte Kristiano Ronaldo, idhulli im. Kur shënova dhe festova si ai, në një moment më tha: “Jam unë këtu, jo ti!”. Iu përgjigja: “Qetësohu, vëlla!”. Më pas kur shkuam në dhomat e zhveshjes, i thashë që nuk e bëra kundër teje, por sepse je idhulli im. Të gjithë, kur mbaroi ndeshja, shkuan tek ai për t’i marrë fanellën, ndërsa ai iu tha që do ma jepte mua. Ëndrra ime u bë realitet.

Shkojmë në Spanjë, firmosët me Granadën, si ishte?

Firmosa të martën dhe të shtunën ishte ndeshja e parë kundër Real Madridit. I kisha parë ata lojtarë vetëm në TV. Kasemiro, Toni Kros. Stadiumi plot, ishte çmenduri. Kalova shumë mirë në Granada, do të jetë gjithëmonë shtëpia ime dhe i vlerësoj për këtë.

A ishte zgjidhje e duhur kalimi në SHBA?

Nuk kam ardhur këtu për pushime apo për një jetë më të mirë. Këtu dua të përmirësohem, të thyej rekorde dhe të lë shenjë. Sepse në fund do të kujtohemi vetëm për emrin. Tani është koha që të bëj mirë edhe këtu. Jemi vetëm dy shqiptarë futbollistë në MLS, unë dhe Vrioni.

Çfarë pret tek Ostin?

Kam firmosur një kontratë dhe dua që të fitojmë sa më shumë ndeshje. Duhet të arrijmë objektivat. Nuk është e pamundur dhe unë besoj te vetja, te shokët, te trajneri sepse njerzit po bëjnë punë të mirë këtu.

Exit mobile version