Joni Myshketa, kryetar i PD-Demokratët Euroatlantikë, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, Durrës, analizoi në studion e MCN gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Durrësit. Duke iu referuar raportit, Myshketa tha se në vitin 2018, në arkën e Bashkisë së Durrësit mungonin plot 630 milionë lekë.
Mungojnë 630 milionë lekë bashkisë së Durrësit në vitin 2018. Në fund të vitit 2018, kemi 6.3 milionë euro të munguara në Bashkinë Durrës. Pra janë zhdukur si me magji. Institucioni që paguhet dhe menaxhon taksat gjendet në shkelje dhe gjithçka vazhdon sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Projekte në infrastrukturë dhe ndërtim. Gjithçka lidhet me mosmenaxhimin dhe moseficiencën.
Sipas tij, raporti ka evidentuar disa manovra që kanë favorizuar biznese të caktuara në detyrimet ndaj pushtetit vendor.
Në raportin e KLSH, në faqen 286, nga auditimi ka dalë se 211 subjekte kanë kaluar afatin kohor të kthimit të përgjigjes. Pra, kërkojnë në QKB mbylljen e biznesit. Shumë biznese mbyllen duke pasur detyrime ndaj Bashkisë Durrës. Është mosrakordim në dukje neglizhencë, por mund të jetë edhe e qëllimshme. Kam një rast kur një subjekti, biznes i madh, që i dalin taksat për një vit si biznes i vogël. Pra, një vit paguan si biznes i vogël. Këto janë para të munguara në buxhetin e bashkisë.
Myshketa tha se këshilltarët e opozitës në këtë bashki po përgatisin një denoncim në SPAK mbi këto gjetje.
Ne po shqyrtojmë raportin e KLSH dhe nuk do të rrimë në heshtje, por do të marrim të gjitha masat ligjore. Raporti i KLSH është ulëritës për gjendjen në të cilën ndodhet Bashkia e Durrësit. Kjo e fundit që drejtoeht nga e majta prej dy dekadash.