Myzafer Elezi: Rikthimi i “Policimit Vullnetar” – legalizim i patronazhimit politik

Nga Myzafer Elezi

Më 28 maj 2025, Qeveria miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar”. Ky vendim, i paraqitur si një iniciativë për forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe komunitetit, në të vërtetë përbën një rrezik serioz për keqpërdorim politik, cenimin e lirive qytetare dhe riciklimin e praktikave të dështuara institucionale.

Sipas këtij vendimi, qytetarë nga mosha 18 deri në 65 vjeç mund të angazhohen vullnetarisht deri në 25 orë në javë, pa asnjë shpërblim financiar, pa garanci për punësim dhe pa rrugë të qartë për zhvillim profesional. I vetmi “shpërblim” i ofruar është një vlerësim moral apo ndonjë dekoratë publike, simbolikë që nuk e ushqen familjen dhe nuk siguron jetesën.

Duhet të theksojë se, përfshirja e qytetarëve në një detyrë me ngarkesë të konsiderueshme orare (25 orë në javë), pa asnjë lloj shpërblimi financiar, përbën një formë të shfrytëzimit të punës, në shkelje të nenit 49 të Kushtetutës, në të cilin parashikohet se: “Secili ka të drejtën të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme”, pra të punojë dhe të përfitojë nga puna e tij.

Puna “vullnetare” e përditshme, për afro 5 orë në ditë, nuk është më vullnetare, por punë e strukturuar me orar, pa asnjë mbështetje ligjore në Kodin e Punës

Ky vendim i Qeverisë ngre një sërë pyetjesh themelore:

• Si do të përballojnë qytetarët, sidomos të rinjtë dhe prindërit që punojnë për të mbajtur familjet, një angazhim 25-orësh në javë pa pagesë?
• Cili është mekanizmi real i motivimit për këtë kontingjent të pa-paguar?
• Cili institucion do të mbikëqyrë këta individë, kur ata nuk kanë status policor dhe nuk janë subjekt i hetimit nga AMP?
• Si garantohet mos-politizimi i tyre, kur bëhet fjalë për qytetarë të përzgjedhur pa kritere të qarta profesionale?

Ky kontingjent nuk ka formim të specializuar, nuk njeh legjislacionin dhe procedurat operative të Policisë së Shtetit, dhe është i ekspozuar ndaj manipulimit politik. Me këtë vendim, hapet rruga për një tjetër formë patronazhimi politik, – një mekanizëm survejimi i qytetarëve të maskuar si “vullnetarizëm në shërbim të komunitetit”.

Në realitet, kjo është një rikthim i skemave të vjetra të ndjekjes dhe kontrollit të qytetarëve, të ngjashme me sistemin famëkeq të AGBV-së, tashmë të përshtatura për vitin 2025, por me të njëjtat qëllime: mbikëqyrjen dhe frikësimin e elementit kritik në shoqëri.

Ky nuk është policim vullnetar, por një përpjekje për të legalizuar sistemin e patronazhimit politik të stilit System.ps.al apo Aktivist1.al. Është një manovër për të forcuar kontrollin mbi komunitetin dhe për të amortizuar çdo zë kritik ndaj pushtetit.

Vlen të kujtojmë se një përpjekje e ngjashme u bë edhe në vitin 2019 me VKM nr. 641, datë 02.10.2019, një iniciativë që dështoi të zbatohej për gjashtë vite. Rikthimi i të njëjtit koncept, me një emërtim të ri, tregon mungesën e ideve reale për përmirësimin e sigurisë publike dhe tentativën për të ricikluar dështimin si “risi”.

U bëj thirrje qytetarëve, shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve të pavarura të reagojnë ndaj këtij vendimi, i cili nuk shërben interesit publik, por interesave të ngushta politike.

Policia e Shtetit ka nevojë për profesionalizëm, depolitizim dhe reforma të vërteta, jo për patronazhistë të rikthyer në uniformë “vullnetare”.

Artikulli paraprakGjergji Nika: Politika në Shqipëri ka nevojë për fytyra të reja, jo për figura të stërkonsumuara
Artikulli tjetërBamir Topi flet për zgjedhjet e 11 Majit: Demokratët duhet të mbyllin raportin shpirtëror politik me Sali Berishën