Kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe ish-deputeti Asllan Dogjani janë përplasur për rezultatin e 25 qershorit në Kamëz.
Mziu e quan atë gjysmë deputet që u shit apo u fal nga PS-ja, por që nuk u bë kurrë demokrat.
Reagimi i plotë i Mziut
Nga reagimi i disa demokratëve ndaj një statusi në rrjetin social FB të gjysmë deputetit, lexoj atë se çfarë ka shkruar dhe madje të shoh edhe murin e tij në FB!
Gjysmë deputeti i blerë me klering për një votë (2013), i shitur apo i falur nga PS-ja, edhe pse i mandatuar nga demokratët e Kamzës, i sulmon ata dhe mua për rezultatin spektakolar të arritur në zgjedhjet e 25 qershorit, jo vetëm krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por edhe krahasuar me çdo degë të Partisë Demokratike në Shqipëri.
Gjysmë deputeti ka folur si sekretari i Parë i PPSH kundër grupit armiqësor “Kamza” (si gjerdani blu në Shqipërinë e kuqe).
Gjysmë deputeti më sulmon mua (kryetar i Bashkisë dhe kreu i PD), që nuk kam marrë rezultatin e kërkuar dhe hedh një lumë akuzash të pabaza ndaj meje e PD-së, por asnjë fjalë s’ka për qeverinë e krimit, të korrupsionit, të drogës dhe të blerjes së votës.
Kamza, si asnjë qytet tjetër, vazhdon që të jetë blu, falë punës së strukturave të PD-së, por edhe punës sime, për shkak të rolit të dyfishtë si kryebashkiak dhe kryetar i PD-së.
Kamza mori 4.823 vota më shumë se PS.
Dega e PD Kamëz ka marrë 53% të votave në raport me PS+LSI ose 4% më shumë se viti 2013, kur rezultati i PD në shkallë vendi ishte në shifrën 29%. Më datë 25 qershor nuk kishim zgjedhje, por blerje dhe tjetërsim të votave, për shkak të përdorimit të parave të korrupsionit dhe të drogës. Mijëra qytetarëve në të gjithë Shqipërinë, por dhe në Kamëz u janë blerë votat ose u janë marrë kartat kundrejt pagesës për të mos marrë pjesë në votim.
Këtë e dinë të gjithë, veç gjysmë deputetit, të cilit akoma i duket vetja nën drejtimin e socialistëve të Kukësit, duke protestuar tek tuneli dhe Rruga e Kombit apo organizatori i 21 janarit që u konvertua në demokrat me votat e Kamzës, por në asnjë moment nuk i justifikoi ata për të ngritur zërin për:
Mijëra qytetarë të futur në burg për shkak të lyerjes së shtëpisë ose ndërrimit të tjegullave.
Mijëra qytetarë të futur në burg për shkak të pamundësisë së pagesës së energjisë elektrike.
Mijëra familje të hequra padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike.
Mijëra qytetarë të ngelur pa punë për shkak të largimeve politike ose falimentimit të bizneseve për shkak të taksave të larta nga qeveria.
Mijëra familje të ikura jashtë për shkak të humbjes së shpresës nga qeveria.
Rreth 150 projekte të dërguara nga bashkia për ndërtim rrugësh, rivitalizim qendrash urbane, shkollash, kopshtesh, çerdhesh, ujësjellës, kanalizimesh, tregjesh etj., por që në 4 vite zero financime pati nga qeveria Rama.
Edhe pse qyteti i 5-të në Shqipëri, jo vetëm zero investime pati nga qeveria, por një qytetar i Kamzës ka marrë 35,5 herë më pak lekë sesa mesatarja e Shqipërisë.
Por pavarësisht këtij persekutimi dhe mungesës së zërit për të justifikuar votat e marra, Kamza ka ndryshuar ndjeshëm, madje edhe këto dy vitet e fundit si asnjë qytet tjetër.
Kemi aplikuar një politikë fiskale për të stimuluar rritjen e biznesit dhe të numrit të të punësuarve në sektorin privat. Kemi një paketë fiskale, ku qytetarët paguajnë të paktën dy herë më pak se ata të Tiranës.
Me këto taksa dhe tatime janë bërë mbi 60 investime për rivitalizimin urban në Paskuqan, bulevardin “Demokracia”, bulevardin “Donald J. Trump”, me dhjetëra rrugë të tjera, kanalizime, ujësjellës etj.
Vetëm në zonën e Paskuqanit po bëhen investime më shumë se 25 vitet e marra së bashku, edhe kur ishte kushëriri i shokut deputet, i cili ka dy palë zgjedhje që punon për mazhorancën aktuale bashkë me beniaminët e tij.
Por gjysmë deputeti anonim asgjë nuk ka thënë sa më sipër, kur në këto dy fushata është munduar për të ardhur në Kamëz vetëm për fotot e çastit kur ishte lidershipi.
Në zgjedhjet e 2015-ës, por edhe të 2017-ës ata pak njerëz të tij kanë votuar koalicionin qeveritar, por nuk arriti të impononte të tjerë.
Ndërsa në Paskuqan për shkak të kushëririt ish-kryetar, por edhe të strukturës komunale dhe partiake dëmin e ka bërë më të madh.
Një pyetje: Nga kush mori urdhër për të reaguar pikërisht në këtë çast ndaj gjerdanit të artë të Partisë Demokratike?
Të uroj suksese në jetë!
Cila ishte kritika e ish-deputetit Dogjani
Ne si Parti Demokratike në koalicion kemi marrë rreth 7 mijë vota më pak se në vitin 2013 në Kamëz e Paskuqan përballë PS+LSI. Për herë të parë marrim vetëm 800 vota më shumë se PS+LSI, krahasuar me rreth 9000 vota në vitin 2013 Kamëz+ Paskuqan
Statusi i plotë i Asllan Dogjanit:
Flamur!
Të falënderoj shumë për mesazhin, respekte për ju dhe për punën tuaj në këtë fushatë elektorale për fitoren e Partisë Demokratike. Keni bërë një punë të shkëlqyer, i thjeshtë, i përkushtuar, shumë komunikues me njerëzit.
Falë punës tuaj dhe punës së drejtuesve të strukturës, anëtarëve të thjeshtë të Partisë Demokratike, me shumë mund arritët të merrnit këtë rezultat me 4800 vota para në Kamëz dhe rreth 1200 në Paskuqan…
Ju nuk u lodhët kurrë, shkuat derë më derë, respektuat gjithsecilin që takuat. Për punën që bëtë do të isha i sigurt se rezultati do të ishte 15 mijë vota para dhe jo me tre mijë vota më pak se në vitin 2013 në Kamëz.
Apo po ta krahasosh me koalicione, ne si Parti Demokratike në koalicion kemi marrë rreth 7 mijë vota më pak se në vitin 2013 në Kamëz e Paskuqan përballë PS+LSI. Për herë të parë marrim vetëm 800 vota më shumë se PS+LSI, krahasuar me rreth 9000 vota në vitin 2013 Kamëz+Paskuqan.
Por ky rezultat nuk ka ardhur për shkakun tuaj, as për mungesën e punës së strukturave apo anëtarëve të thjeshtë të partisë, por ka ardhur si rezultat i abuzimit me qytetarët nga ana e drejtuesve të bashkisë.
Në Kamëz një qytetar nuk mundi të merrte dhe të marrë një çertifikatë për të aplikuar për ndihmën ekonomike pa paguar taksat që nga viti 2007 pavarësisht se është i varfër, i papunë apo invalid… Megjithëse taksat i kishim premtuar për t’i falur në zgjedhjet e vitit 2015. Personave me aftësi të kufizuar (invalidëve) nuk u jepet paga pa paguar taksat….
Në Paskuqan dhe në Kamëz duhet të paguash faturën e ujit pa patur ujë në shtëpi edhe kur ujin e ke siguruar me pus. Duhet të paguash faturën e kanalizimeve të ujërave të zeza kur nuk ke kanalizime fare dhe ujërat i mbledh me gropë…
Taksat e biznesit janë pothuajse më të larta se në Tiranë. Edhe aty ku uji vjen dy orë në ditë ta ndërpresin kur nuk ke mundësi ta paguash faturën se je i varfër…
Duhet të paguash faturën e ujit aq sa mendon bashkia dhe jo aq sa shpenzon qytetari.
Për të marrë një leje për të ndërtuar apo riparuar shtëpinë nuk shpëton dot pa paguar ryshfet…
E shumë probleme të tjera që jam i sigurt se ty Flamur t’i kanë thënë qytetarët…
Jam i sigurt se kudo ke dëgjuar që do ta japim votën se jemi me Sali Berishën e Partinë Demokratike, por sa herë bie shi na mbyten shtëpitë vetëm se nuk pastrohen kanalet e ankesat e tjera që sapo i përmenda më lart.
Edhe një herë dua të të falënderoj ty për punën e shkëlqyer që ke bërë anëtarët, drejtuesit e strukturave, qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike.
Por ka ardhur koha që atë mbështetje që na e kanë dhënë qytetarët t’u përkthehet të paktën me respekt e komunikim njerëzor me ta. Ka ardhur koha që të mos abuzojmë me ta me mendimin se Kamza e Paskuqani është e jona dhe voton për ne …
Ka ardhur koha ta ngrejmë zërin të gjithë, të flasim hapur, të mos heshtim kur abuzohet me qytetarët, kur pushtetarët sillen si çifligarë dhe t’i mbrojmë nga abuzimi i shtetit dhe pushtetit…
Unë do ta bëj një gjë të tillë, do të jem gjithmonë në mbrojtje të të drejtave, lirive dhe interesave të qytetarëve të Kamzës e Paskuqanit dhe gjithë Shqipërisë dhe jam i sigurt se dhe ju do ta bëni dhe gjithë demokratët e ndershëm nuk do të heshtin.