Rruga për të cilën Rama u ankua live, është rrugë nacionale gjendet në inventarin e ARRSH-së dhe se financimi për përmirësimin e gjendjes së saj është në dorë të qeverisë, pra vetë atij. Pra, kryeministri shpif, shpif, shpif…
Sot pasdite Edi Rama, i shoqëruar nga deputetja që ka mbrojtur doktoraturën me plagjiaturë dhe që në takimin paraardhës nuk dinte ku ishte në takim dhe nga Kamza u drejtohej banorëve të Vorës, duket se të njëjtën sëmundje i infektoi edhe shefit të saj. Kryeministri në ikje, Edi Rama, sot ankohej “live” për gjendjen e rrugës në të cilën kishte kaluar, por harroi se ai aks rruge është rrugë nacionale dhe është në inventarin e ARRSH-së dhe se financimi për përmirësimin e gjendjes së saj është në dorë të qeverisë, pra vetë atij.
Pra, Rama shpif, shpif, shpif… Duam t’i kujtojmë Kryeministrit që Bashkia e Kamzës prej vitit 2007 ka investuar në qindra e qindra kilometra rrugë në territorin e saj, duke përmirësuar rrënjësisht gjendjen e infrastrukturës rrugore. Të gjitha këto investime janë kryer me fondet e saj, duke u ndeshur me veton qeveritare e cila prej vitit 2013 ka zero financim të projekteve të Bashkisë. Janë mbi 150 projekte që flenë në sirtarët e qeverisë, mes tyre edhe rrugë për të cilat Rama as ka marrë mundimin të kthejë përgjigje dhe jo më t’i financojë. I kujtojmë Ramës se as për rrugën nacionale të cilën u ankua, e vetmja që lidh Kamzën dhe Veriun e Shqipërisë, nuk e ka financuar ARRSH-ja, madje as në pjesën që kalon përmes Bashkisë së Tiranës nga Kthesa e Kamzës deri te Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe që kalon përmes territorit të Bashkisë së Veliajt.
Të jetë ky vallë një diskriminim krahinor?! I kujtojmë Kryeministrit mashtrues që Bashkia e Kamzës është bashki rekord për sa u përket investimeve, sidomos në rrugë, ku 60% e buxhetit të saj shkon çdo vit për investime, si në asnjë bashki tjetër. Duke parë indiferencën dhe diskriminimin e Kryeministrit mashtrues dhe të qeverisë së tij, Bashkia e Kamzës ka financuar edhe ndërtimin e rrugëve rajonale, siç është ajo që kalon në Paskuqan, 7 km e gjatë. Bashkia e Kamzës ka shfrytëzuar çdo burim të ardhurash për të financuar projektet e investimeve publike e megjithatë për shkak të mirëmenaxhimit të të ardhurave ajo është shpallur bashkia e parë për sa i përket këtij menaxhimi. Rama vetëm shpif, shpif, shpif, sikurse ka bërë deri më tani në Kamëz, me legalizimet falas apo çdo premtim tjetër të dhënë.
Edmond DURAKU