Mziu: Qeveria ka braktisur Kamzën, ja projektet për 2016

“Gjykata hodhi poshtë një akuzë politike duke më dhënë pafajësi”. Kjo ishte deklarata e kryebashkiakut të Kamzës dhe kryetarit të degës vendore të PD, i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku përballë Avni Nezajt, kryeredaktor i lajmeve në TV “Channel One”, Brahim Shima, redaktor i lajmeve në TV “A1” si dhe Ilir Nikolla, kryeredaktor i gazetës “55. “Kjo është dalja e parë pas vendimit të Gjykatës, por edhe pas një viti, ku kam patur përpara dy sfida; ajo e fitimit të mandatit të tretë në Bashkinë e Kamzës, të cilën unë e kisha premtuar nga kjo studio si dhe po aq e rëndësishme është edhe sfida ndaj padrejtësisë politike që u bë ndaj meje dhe tashmë unë kam një vendim të formës së prerë, ku shpallem i pafajshëm. Sa i përket gjyqit, ajo çfarë mund të komentoj unë është që çështja për të cilën kishte të bënte me mua pati një kalvar të gjatë kohor prej rreth dy vite e gjysmë dhe që e imponoi mazhorancën politike dhe kryeministrin që ta përdorte në fjalorin e tij në çdo rast, edhe në Kuvend, edhe në mbledhje partie, edhe në fushatë elektorale.
Madje, nëse ju kujtohet, Kryeministri në çdo takim që bënte, jo vetëm në Kamëz, por në çdo qytet të Shqipërisë në fushatë elektorale, thoshte që kandidati i Partisë Demokratike e ka vendin në burg ose minimalisht në shtëpi. Dhe në fakt, as në burg nuk shkova dhe as në shtëpi nuk shkova, por vazhdoj të jem në bashki i votëbesuar për herë të tretë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit. Pra, shkova në Bashki dhe besoj që drejtësia kishte të gjitha argumentet e nevojshme ligjore për të më shpallur të pafajshëm”, tha Mziu. Ndër të tjera z.Mziu shtoi se, “Me qëllimin për të më dënuar mua politikisht ka ndodhur një dënim për bashkinë, të cilën unë drejtoj, sepse, me keqardhje mund të them, në tri vite zero investime nga institucionet e pushtetit qendror ndaj Bashkisë së Kamzës”. Marrjen e pafajësisë z.Mziu e ka konsideruar vetëm një nga sfidat e jetës përballë makinerisë së pushtetit, duke i bërë presion drejtësisë, duke shtuar se: “Mund ta konsideroj një betejë, sepse do të thotë që ndërpritej karriera ime politike, por unë pak a shumë në këto beteja kam qenë i sprovuar, sepse kam shkuar në shkollë të lartë me vonesë, pavarësisht se isha me të gjitha notat 10 dhe e kam vuajtur. E mbaj mend që në atë periudhë kam shkuar me detyrim ushtar dhe vuaja nga ai regjim.
Në njëfarë mënyre kisha një imunitet ndaj kësaj përplasjeje politike. Por siç e theksova edhe më parë, duke mos pasur argumente, e konsideroja një betejë shumë të rëndësishme, sepse ishte një përballje e drejtpërdrejtë me Kryeministrin, por kisha besim tek drejtësia dhe u realizua”. Pyetjes nëse do të kërkonte dëmshpërblim z.Mziu iu shpreh se, “mua s’më intereson dëmshpërblimi, mua më intereson marrja e pafajësisë dhe ngritja e kauzës për të mos u vendosur përpara presionit politik as njerëz politikë, por as njerëz të drejtësisë. Unë jam në betejë të vazhdueshme për të realizuar atë se çfarë u kam premtuar qytetarëve të Kamzës. Besoj që dëmshpërblimi më i madh ndaj kësaj akuze politike ishte fitorja më datë 21 qershor të 2015-ës”.

Artikulli paraprakShqipëria digjet nga krimi dhe skandalet, Rama krihet
Artikulli tjetërBashkia e Mallakastrës asgjëson parcelat e policisë me kanabis