Diskriminimi ndaj Kamzës i qeverisë së “Rilindjes” nuk njeh kufij. Veç mungesës së investimeve në Kamëz, mosfinancimit të mbi 135 projekteve të Bashkisë çuar ministrive të linjës (ku flenë në sirtarët e tyre), mosofrimit të grandeve, Bashkisë nuk i kanë kaluar as kompetencat bazuar në ndarjen e re territoriale shoqëruar kjo edhe me faturën financiare dhe personelin.
Në kuadër të denoncimeve rast pas rasti, kryebashkiaku Xhelal Mziu denoncon faktin që Kamza, Bashkia e 6-të në vend, nuk ka një stacion zjarrfikësesh, nuk ka asnjë automjet dhe personel të duhur dhe qeveria prej vitit 2015 nuk i ka kaluar asnjë fond Bashkisë me qëllim blerjen e automjeteve të reja.
“Situata është e paprecedentë, për faktin se në rast zjarri apo dhe përmbytjesh Kamza nuk ka asnjë automjet zjarrfikëse dhe rrjedhimisht as stacion zjarrfikësesh, duke mos pasur mjete dhe personelin e duhur. Me kalimin e kompetencave duhej që Kamzës t’i kalonte një stacion zjarrfikësesh. Kemi 4 reparte zjarrfikësesh: në Kombinat, tek Inxhinieria e Ndërtimit, Kinostudio dhe në Kodër-Kamëz pranë UBT-së dhe asnjëri prej stacioneve s’i ka kaluar Kamzës. E sanksionuar edhe në ligjin e 2015-ës është që kush s’ka përfituar nga kjo ndarje qeveria të na sillte mjetet ose fondin që t’i blinim vetë.
Madje, ne bëmë gati edhe projekti dhe planifikuam edhe vendin në vitin 2017 në komunikim me Ministrinë e Brendshme, por fondi u rialokua dhe nuk na erdhi.
As automjete dhe as fonde nuk na kanë kaluar dhe sot në rast të një zjarri apo përmbytjeje, Bashkia Kamëz duhet t’i kërkojë ndihmë Tiranës. A nuk është kjo absurde!? Çfarë mund të quhet tjetër veçse diskriminim i pastër për qëllime politike”, – thotë kryebashkiaku Xhelal Mziu. Kreu i Bashkisë Kamëz thotë së pavarësisht kërkesave apo edhe premtimit të Kryeministrit në takimin që pati në Kamëz, asgjë nuk është bërë. “Dua të theksoj faktin se në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria vendosi një fond prej 50 milionë lekësh të reja për blerje automjetesh zjarrfikëse për bashkitë dhe Kamza sërish rezulton e diskriminuar”, – thotë kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu në mënyrë sistematike i ka përmendur rastet diskriminuese, si: largimin nga skema e ndihmës ekonomike të mbi 6 mijë familjeve, heqjen e Zyrës së Punës nga qyteti, mosfinancimin për ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre që u ndërtuan nga qeverisja e PD-së, mosplotësimin e personelit të kopshteve dhe shkollave si pasojë e fondit që nuk ofrohet nga MASR, moskalimin e konviktit të shkollës “Lori Boriçi” nën administrim të Bashkisë Kamëz, që aktualisht dhe çuditërisht administrohet nga Bashkia Tiranë. Të tjerat do të denoncohen në ditët në vijim.