“Na akuzojnë se Kadri Hazbiut i kemi prerë gjuhën të mos flasë”- Enver Hoxha: Ishte ministër i Brendshëm, por u bë tradhtar i fëlliqur! Të pathënat e gjyqit famëkeq të shtatorit 1983

AFRIM IMAJ

Ka nisur si një çështje rutinë, por ka vazhduar gjatë debati në zyrën e Enverit për gjyqin me dyer të mbyllura ndaj Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm, dhe grupit të tij të dënuar me vdekje.

Ndryshe nga procesi tjetër, ai kundër Fiqret Shehut, për të cilin opinioni ishte vënë në dijeni, sa nëpërmjet të ftuarve në sallën e gjyqit, aq edhe nga videoja me dëshmitë e saj të regjistruara në Hetuesi, ku pohonte (s’dihet në çfarë rrethanash) veprimtarinë e vet agjenturore kundër regjimit dhe kreut të tij, procesi ndaj Hazbiut dhe titullarëve të Sigurimit ishte mbajtur larg vëmendjes së njerëzve, në kushtet e një terri të jashtëzakonshëm informativ. Tanimë që vendimet ishin marrë dhe “bukëshkalët” kishin shkuar në “botën tjetër”, Partia duhej të sqaronte popullin për arsyet e pakontestueshme të vendimeve makabre, të cilat ishin konsumuar ditë-net të tëra (s’dihej se si) në sallat e mbyllura të gjyqit famëkeq.

Transmetimi i këtyre të fundit te njerëzit e thjeshtë, siç u rezultonte liderëve komunistë në takimin e 5 shtatorit 1983, mbetej një çështje sa delikate, aq dhe e pamundur. Hekuran Isai, ish-ministri i Brendshëm që ka ndjekur procesin hap pas hapi, vë në vëmendjen e kolegëve faktin se ndryshe nga rasti i Fiqret Shehut, që i ka pohuar me gojën e saj aktet kriminale e armiqësore, të cilat mund të publikohen me zë dhe figurë, Kadri Hazbiu ka kundërshtuar me forcë çdo akuzë dhe kjo, sipas tij, e bën të pamundur shfaqjen në televizor të procesit kundër tij.

Duhet kujdes, këshillon Isai, se te njerëzit e thjeshtë ka jo vetëm paqartësi, por edhe opinione nga më negativet. Vetëm tri ditë pasi arrestuam Kadriun, shton ish-ministri i Brendshëm, flitej aty-këtu se i kanë prerë gjuhën, prandaj nuk flet, që hetuesia i ka hequr dhëmbët për të mos kafshuar gjuhën etj. I vëmendshëm ndaj argumentit të Isait, ish-kreu i regjimit përpiqet ta çojë më tej atë, duke sjellë një qasje tjetër. Populli kërkon të dijë, shprehet Hoxha, ç’kanë thënë në gjyq, sidomos për akuzat e Fiqretit ndaj Kadri Hazbiut, që u dhanë edhe në televizion nga gjyqi i parë. Nëse ka sekrete ushtarake apo të Sigurimit të Shtetit, le të hiqen, por pjesën tjetër ata do të kërkojnë ta shohin në televizion. Duke diskutuar këtë çështje, ata parashikojnë se populli madje do të diskutojë edhe për faktin pse ky gjyq u zhvillua me dyer të mbyllura, kurse i pari ishte i hapur? Në argumentet pro dhe kundër transmetimit në televizor të gjyqit famëkeq, më në fund kristalizohet ideja se është e panevojshme të ndahen me opinionin sekretet e procesit ndaj Kadri Hazbiut dhe krerëve të lartë të Sigurimit të Shtetit.

dokumentok

DOKUMENTI

RAMIZ ALIA: E di, e qartë është, po informacion do të japim vetëm për gjyqin me dyer të hapura, nuk do të japim asgjë për të tjerët.

ENVER HOXHA: Jo, për të tjerët nuk do të japim asgjë.

RAMIZ ALIA: Tani nuk e kam fjalën për njerëzit e ndershëm dhe besnikë të Partisë, po duhet parë ç’mund të thonë edhe ata që kanë lakra në kokë. “Mirë, xhanëm, do të pyesin këta, e kuptojmë që s’na e dhanë zhvillimin e gjyqit, po pse nuk na i dhanë të paktën si fytyra të tjerët, armiqtë që u gjykuan në gjyqin e dytë me dyer të mbyllura, si Kadri Hazbinë, Feçor Shehun etj., që të shikonim një çikë se çfarë do të thoshin, qoftë edhe një ose dy fjalë? Kaq duam ne të dëgjojmë nga goja e tyre, nuk i duam të gjitha të tjerat që kanë pohuar”.

FOTO ÇAMI: Pastaj për këta të gjyqit të dytë kanë folur diçka armiqtë që u gjykuan në gjyqin e parë me dyer të hapura, si Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra dhe Ali Çenoja.

RAMIZ ALIA: Në televizor këta nuk i nxjerr dot, se po nxore Ali Çenon, Mihallaq Ziçishtin, Gani Kodrën dhe Llambi Peçinin, mbeten vetëm Kadri Hazbiu me Feçor Shehun pa dalë. Dëgjo, Foto, duhet ndjekur jo vetëm opinioni i shëndoshë, ç’mendon njeriu i ndershëm, por do parë edhe çështja se çfarë mund të shkaktohet në mendjen e njerëzve të paqartë.

ENVER HOXHA: Se do të vijë çështja të na thonë që “Fiqreti tregoi se Kadri Hazbiu, Feçor Shehu dhe Llambi Peçini janë spiunë e tradhtarë, prandaj ne duam të dimë si u mbrojtën këta për akuzat që u bëri ajo? I pranoi Kadri Hazbiu këto apo nuk i pranoi?”.

HEKURAN ISAI: Çështjen se si i hedh poshtë akuzat që i bëhen Kadri Hazbiut ne nuk mund ta nxjerrim në publik.

ENVER HOXHA: Sigurisht që nuk mund t’i nxjerrim, se janë sekrete.

HEKURAN ISAI: Prandaj mendojmë të japim me televizion disa pjesë vetëm nga gjyqi i parë.

ENVER HOXHA: Ata që do të shohin zhvillimin e gjyqit të parë, do të thonë që “ne nuk duam gjë tjetër tani, veçse të dëgjojmë ç’thotë edhe Kadri Hazbiu. Këtë na i thoni ju pa figurë, se Kadri Hazbiu i ka kundërshtuar të gjithë këta që flasin kundër tij. Apo jo?”. E kam fjalën për ata që nuk janë me Partinë, se vetëm ata mund të thonë që “Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu i kanë kundërshtuar këto akuza, se, po qe se këta do të kishin pohuar diçka me gojën e tyre, do të na e kishin bërë të njohur. Sa për çështjet me karakter ushtarak, këto mund dhe duhet të priteshin, po ne supozojmë që këtu nuk ka çështje të sigurimit, pavarësisht se këta të dy ishin drejtues kryesorë të Sigurimit të Shtetit. Në televizion janë dhënë të gjitha ato që janë thënë në gjyqin e hapur, të cilat i pohoi Mihallaq Ziçishti. Ky doli, foli dhe ai tjetri që pohoi se Kadri Hazbiu është me jugosllavët. Ja këtë duam të dëgjojmë ne, të dimë ç’thotë vetë Kadriu për këto akuza? Në qoftë se ai akuzohet për faje të tjera të rënda, që kanë të bëjnë me Sigurimin e Shtetit dhe me Ushtrinë, këto le të mos na i thonë”. Me një fjalë, këta do të kërkojnë që t’u bëhet e ditur ç’thotë Kadri Hazbiu. Për këtë ka mundësi të krijohen pikëpyetje në popull.

FOTO ÇAMI: Ky problem ekziston edhe tani, shoku Enver, se njëri gjyq u bë me dyer të hapura, tjetri me dyer të mbyllura.

RAMIZ ALIA: Kurse me informacionin që do të dërgojmë në bazë, çdo gjë do të shpjegohet qartë.

ENVER HOXHA: Gjyqi i dytë do të themi, ka të bëjë me sekrete ushtarake. Kadri Hazbiu akuzohet edhe nga Fiqreti, e cila pohon edhe për vete se ka qenë spiune. “Lëri mënjanë ato që kanë të bëjnë me sekrete ushtarake, po ç’thotë për këto gjëra vetë Kadri Hazbiu duam të dimë ne?”, mund të thonë disa njerëz, kurse po të mos japim gjë as nga gjyqi i parë, nuk ka për të bërë njeri pyetje.

HEKURAN ISAI: Ne nuk do të japim as të parin, shoku Enver, mendime ishin këto. Puna është që zyrtarisht kemi folur që kemi bërë një gjyq të hapur. Në qoftë se Partia do të kishte mundësi që në këtë gjyq të hapur të ftonte për të dëgjuar më shumë njerëz, akoma më mirë do të ishte, kurse shfaqja e zhvillimit të këtij gjyqi me televizion është njëlloj sikur të përsëritnim edhe një herë gjyqin, punë kjo që ka marrë fund. Për sa i përket gjyqit të mbyllur, këtij të Kadri Hazbiut e disa të tjerëve si ai, mund të them se akoma tri ditë pasi patëm arrestuar këtë në popull flitej që gjoja i kanë prerë gjuhën, prandaj nuk flet, që hetuesia i ka hequr dhëmbët për të mos kafshuar gjuhën etj. Dua të them me këto që armiqtë gjithnjë flasin e do të flasin.

ENVER HOXHA: Po mirë, le të flasin armiqtë, ata këtë punë kanë.

HEKURAN ISAI: Mirë, dakord shoku Enver, nuk po e diskutojmë këtë çështje.

ENVER HOXHA: Kurse gjyqin e parë e bëmë me dyer të hapura dhe populli e tha fjalën e vet kundër armiqve.

RAMIZ ALIA: E kupton populli arsyen përse u bë me dyer të mbyllura gjyqi i dytë.

ENVER HOXHA: Në rast se ne do ta japim me televizion zhvillimin e gjyqit të parë, atëherë njerëzit patjetër kanë për të pyetur: Përse nuk na i japin një çik edhe figurat e këtyre të tjerëve.

Të mos kujtojmë se nuk ka diskutime në popull. Diskutime ka edhe pro, edhe kundër. Ka njerëz që mund të mos flasin kundër haptazi, ka nga ata që i mbajnë brenda mendimet që kanë dhe thonë: “Mirë, mirë, po diçka duhesh të jepesh edhe për të tjerët, me qenë se na dhanë në televizor pjesë nga gjyqi i parë. Praktika gjyqësore është e tillë kudo, që disa gjyqe bëhen të hapura, disa të tjerë bëhen me dyer të mbyllura. Neve na vuri në dijeni Partia vitin e kaluar për veprimtarinë e këtyre armiqve, shumë njerëz asistuan më vonë në gjyqin e hapur, kurse në këtë të dytin me dyer të mbyllura, nuk u lejua njeri të vente”. Këto diskutime do t’i bëjnë njerëzit, prandaj duhet të mos lëmë shkas që të flasin.

RAMIZ ALIA: Në komunikatën që do të bëjmë me të shkruar, do të shprehemi më lirshëm, do të themi ato që përmendi shoku Enver, që gjyqi i parë u bë me dyer të hapura për këto arsye, kurse i dyti nuk u bë me dyer të hapura për disa arsye të tjera. Tani ç’rezultoi në të dy gjyqet? Për këtë do të japim të gjitha ato që duhen folur, ato që duhet t’i komunikohen Partisë dhe popullit, që nuk përbëjnë sekret.

ENVER HOXHA: Pse nuk dhamë gjë ne me televizion edhe nga gjyqi i Beqir Ballukut dhe i Abdyl Këllëzit? Mos vallë nuk kishim filmime atëherë? Kishim, po nuk vepruam kështu, se këto gjyqe u bënë me dyer të mbyllura. Megjithatë, popullit atëherë i dhamë shpjegime dhe ai i dënoi armiqtë. Edhe tashti kështu do të veprojmë, prandaj të mos krijohen situata vetëm për arsye se disa njerëz do të thonë: “Po pse nuk na dhanë gjë edhe për gjyqin e dytë?”

RAMIZ ALIA: Çështja që të mos krijojmë ndonjë pikëpyetje në popull është e drejtë ta kemi parasysh, po që kanë forcë bindëse më të madhe filmi e televizioni, s’ka dyshim që kanë. ENVER HOXHA: Çështja është këtu, që po nxore një palë, do na kërkojnë t’i nxjerrim në kinema të tërë.

FOTO ÇAMI: Pastaj edhe gjyqi i parë u bë ca i kufizuar, për arsye se nuk kish aq shumë vende salla ku u zhvillua, sa mund të kish, ta zëmë, po të zhvillohej në një kinema.

SIMON STEFANI: Atë sallë kishte gjykata. Për aq vende sa kishte, ishte mbushur plot.

ENVER HOXHA: Pra kështu të veprojmë, sepse, sido që të jetë, fjalë vazhdimisht do të ketë.

HEKURAN ISAI: Seancat e gjyqit, ashtu siç janë zhvilluar, i kemi të gjitha të regjistruara.

ENVER HOXHA: Shumë mirë është bërë. Prandaj ta shfrytëzojmë mirë këtë dokument se është zhvilluar një punë armiqësore prej disa dhjetëvjeçarësh dhe shumë e koklavitur.

LENKA ÇUKO: As historia botërore nuk e ka regjistruar një veprimtari të tillë, sado që kanë rënë pushtete, po të tillë agjentë si Mehmet Shehu, që ka qenë ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryeministër për një kohë të gjatë, nuk ka ndodhur.

ENVER HOXHA: Për 40 vjet me radhë kanë punuar armiqtë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Tregtisë dhe në atë të Shëndetësisë. Përveç kësaj, Mehmet Shehu ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, njëkohësisht zëvendëskryeministër, më pas u bë Kryeministër. Në Ministrinë e Brendshme kanë qenë në krye vazhdimisht elementë armiq të rrezikshëm si Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Kjo ministri ka qenë në duart e tyre, ndërsa ne, pa ditur gjë, mbanim fjalime për t’i këshilluar që të ruanin fort sekretet e shtetit dhe të Partisë.

HEKURAN ISAI: Ky është problem me shumë rëndësi, shoku Enver, dhe do një analizë kritike të thellë për t’u njohur deri në detaje me historinë dhe rrezikshmërinë e kësaj veprimtarie agjenturore në Ministrisë e Punëve të Brendshme.

RAMIZ ALIA: Shënimet që regjistrohen në fisha, unë mendoj se nuk duhen zhdukur.

ENVER HOXHA: Edhe unë i këtij mendimi jam, të mos zhduken fishat.

RAMIZ ALIA: Mundet që në dokumentet e tjera të dikujt, që ka shprehur diçka kundër vijës apo diçka tjetër, të mos mbahen shënime, por në një fish të sigurimit, akti i tij duhet të shënohet shkurt që “për këtë person, në filan kohë, ka pasur këtë informacion nga iks burim, kjo e dhënë u verifikua dhe u vendos që ai të këshillohet. Por që nga koha që është këshilluar dhe deri tani, megjithëse kanë kaluar katër-pesë vjet, ky njeri mban qëndrim të mirë, prandaj çdo veprim në drejtim të tij është pezulluar”. Fishat me shënimet përkatëse të shkuara me këtë rast duhet të ruhen vazhdimisht.

ENVER HOXHA: Vetëm sa e regjistron, por nuk e ndjek, kur e dhëna nuk ka të bëjë me diçka të rrezikshme dhe pastaj, siç thashë, kur gjykohet se duhet të merren masa që ky njeri të ndreqet, çështja mbetet me kaq.

dok1

Artikulli paraprakPublikohet koleksioni i rrallë i fotografive në Shqipëri/ Albanologu Robert Elsie rrugëtim të veçante në vitet ’30, mes malësorëve
Artikulli tjetërPD, Jupi: Rama dhe qeveria e tij të korruptuar. Duan të kontrollojnë SPAK-un