“Na morët frymën!”: Lezha proteston kundër fabrikës së mbetjeve shtazore

Dhjetëra qytetarë të Lezhës protestuan kundër fabrikës së përpunimit të mbetjeve shtazore “INCA”, e cila sipas tyre ndot me aroma të këqija periferinë dhe qytetin.

“INCA po na vret!” dhe “Kjo fabrikë po na merr frymën!” ishin disa nga thirrjet që u lëshuan gjatë protestës, e cila nisi përpara dyerve të kompanisë dhe u përmbyll me një marrshim drejt Bashkisë Lezhë.

Grupi i qytetarëve shtroi tre kërkesa, mes së cilave largimi i fabrikës.

“Kërkojmë largimin e fabrikës, të nisë hetim institucional ndaj veprimtarisë së saj dhe hetim ndaj Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Lezhë (ARML),” – tha Arilda Lleshi, aktiviste e angazhuar për çështjen.

Citizens ka kontaktuar më herët ARML-në, e cila konfirmon se pavarësisht kontrolleve të kryera në këtë fabrikë, nuk është gjetur asnjë parregullsi.

“Aparatura për matjen e aromave nuk ka. Nuk ka laborator në Shqipëri që mat aromat, aroma janë perceptive,” – theksoi drejtuesi i ARML, Bardhok Frroku, në një bisedë telefonike.

Ndërsa përfaqësues të fabrikës “INCA” i kanë thënë Citizens se kompania bazohet 100% në ekonomi qarkulluese dhe punon në harmoni me mjedisin.

“Kam ardhur këtu sot se më është zënë fryma! Këta mund të sjellin letra sa të duan, por letrat ne e dimë se si bëhen. Nuk më interesojnë letrat, ejani merrni erë atje, në rast se është e pranueshme unë tërhiqem,” – theksoi gjatë protestës Bledar Përlika, banor i zonës.

Prej një muaji grupi i aktivistëve të angazhuar bashkë me Arilda Lleshin, kanë mbledhur rreth 1,700 firma në një peticion që ata thonë se do t’ia adresojnë me shqetësim të gjitha institucioneve përgjegjëse për mjedisin: Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.

Lleshi tha se për këtë çështje ata kanë mbështetur dhe një kërkesë për interpelancë në Këshillin Bashkiak.

“Qoftë me shkollë, qoftë pa shkollë, secili e di që një gjallese duhet t’i plotësohen këto kushte ‘drita, ujë dhe ajri’, ne një nga këto tre kushte, që arkitekti i gjithësisë na i ka dhënë, po na e heq padroni i fabrikës,” – u shpreh Zef Nikolli, gjithashtu banor pranë fabrikës “INCA”.

Kompania “INCA”, e themeluar në vitin 2005 nga Alban Zusi, e ushtron aktivitetin në rrugën “Frang Bardhi” të lagjes Skënderbej, rreth 2 kilometra në veri të qendrës administrative Lezhë.

Kjo zonë, e cila njihet si “Zona industriale” iu shtua bashkisë pas vitit 1992 bashkë me lagjen Kodër-Marlekaj. Megjithatë zhvillimet e pas-viteve 90-të tregojnë se zona ka pak industri që punon.

Aty ka përgjithësisht godina të braktisura dhe banesa, gjë që si duket ka nxitur Bashkinë Lezhë që të mendojë për një plan zhvillimi për një zonë tjetër industriale më në veri, përtej kanalit të lartë kullues në të cilin aktualisht shkarkon ujërat kompania “INCA”.

Fabrika e përpunimit të mbetjeve shtazore rezulton të jetë mbështetur nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian përmes skemës së financimit nga programi “IPARD II”.

Ajo përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Alban Zusi, sipërmarrës i vjetër në industrinë e përpunimit të produkteve shtazore, ishte zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama.

Zusi ushtroi detyrën në kabinetin e ministrit të atëhershëm Edmond Panaritit deri më 30 shtator 2015 kur u dorëhoq për “arsye personale”./citizens

Exit mobile version