Ish-ministri i Drejtësisë ka përgënjeshtruar dje publikisht lajmet e portaleve të Ramës se, vëllai i tij është pronari i kompanisë që duhet të ruante paratë e bankave që u grabitën në Aeroportin e Rinasit.
“Jam i detyruar të sqaroj një lajm krejtësisht të pavërtetë të publikuar sot në një nga mediat e shumta online. Faqja ‘Pamfleti’ lidh kompaninë e sigurimit ‘Nazer 2000’, që kishte në përgjegjësi ruajtjen e aeroportit ‘Nënë Tereza’ dhe transportin e parave gjatë grabitjes së dy ditëve më parë me vëllain tim, i cili cilësohet si bashkortak i kësaj kompanie, por edhe me emrin tim dhe subjektin ku unë aderoj politikisht.
Në fakt kjo është krejtësisht e pavërtetë. Kompania ‘Nazer 2000’ ka si administrator dhe aksioner të vetëm zotin Durim Nazeraj, ndërsa drejtues teknik zotërinjtë Mehmet Bazaj dhe Alfred Zylalaj dhe kjo është lehtësisht e provuar, mjafton të klikosh në QKR për të parë historikun e kësaj kompanie.
Lufta e klikimeve për të bërë skupin e radhës i ka shtyrë ‘drejtuesit’ e këtij portali të shpifin në mënyrë banale dhe të heqin vëmendjen nga çështja konkrete, duke dezinformuar publikun për zbulimin e së vërtetës, duke u shërbyer me përkushtim autorëve të vërtetë të grabitjes.
Nuk besoj se përmendja e emrit tim do e quaj problemin të zgjidhur dhe Presidenti i Republikës të mos e mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë ngjarje kaq të rëndë. Unë mbështes dhe inkurajoj organin e Prokurorisë së Përgjithshme për të kryer hetime të gjithanshme dhe me profesionalizëm.
Drejtuesit e këtij ‘Pamfleti’ me përmendjen e emrit tim nuk mund të rriten politikisht dhe ekonomikisht, pasi kam kontraktuar avokatët e mi dhe do të bëj kallëzim për ndjekje penale, por do të kërkoj në gjykatë edhe dëmin moral në shumën 250 milionë lekë! Bashkëlidhur ekstrakti i QKR. Shpresoj që ky të jetë thjesht lapsus dhe të mos ketë asnjë dashakeqësi personale, përndryshe në rast të hezitimit për të mos e sqaruar të vërtetën, do të jem i detyruar të bëj kallëzim penal për shpifje dhe të kërkoj dëmshpërblim për dëmin moral, që më është shkaktuar”, thotë ish-ministri Nasip Naço.